Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë. Zoti Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata ish Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kundërthënëse të viteve të fundit është vendimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të shpallur ish Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, persona non-grata. Në raport e konsideroni këtë vendim të padrejtë. A mund të na shpjegoni përse?
Philip Hughes: Kjo që thoni është paksa një lexim i gabuar i asaj që ne po përpiqemi të themi në raport. Është vështirë të gjykojmë rastin e Sali Berishës, sepse nuk kemi qasje tek faktet. Nuk e dimë se çfarë dëshmish i janë paraqitur Departamentit të Shtetit, apo çfarë provash kishte Sekretari Blinken kur bëri përcaktimin. Ajo që po përpiqemi të themi në raportin tonë, ajo që po përpiqemi të nënvizojmë, është se ky mund të jetë një rast, ku një nga ligjet tona po praktikohet në mënyrë shumë të përgjithshme, pa vëmendjen e duhur të Kongresit, duke sjellë pasoja të padëshiruara. Kjo është situatë në kundërshtim me traditat tona ligjore në Shtete të Bashkuara, ku njerëzit duhet të kenë qasje ndaj dëshmisë kundër tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë për të kundërshtuar provat dhe të argumentojnë për të mbrojtur veten. Dhe kjo nuk është e mundur me mënyrën se si këto rregullore për shpalljen (non-grata) janë hartuar. Ajo që u përpoqëm të theksojmë është se kemi të bëjmë me diçka që bie ndesh me traditat ligjore amerikane dhe ndoshta duhet shqyrtuar. Ndoshta ka qenë e padrejtë, nuk e di, sepse nuk i kam faktet për rastin e Sali Berishës. Por është e sigurt se ai nuk ka qasje ndaj fakteve dhe nuk ka patur mundësinë që të mbrohet nga shpallja e vendimit apo të argumentojë në mbrojtje të vetes. Kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në aspektin ligjor, në përgjithësi në SHBA, ndonëse ai natyrisht është shtetas i huaj.