Nga Tedi Blushi
Akti i sotëm rrugaçëror i Kryeministrit ndaj gazetares Ambrozia Meta është vijim i dhunës, kërcënimeve dhe shantazheve ndaj medias së pavarur dhe fjalës së lirë.
Dhuna e sotme fizike ndaj një femre gazetare, që vjen pak kohë pas fushatës së kërcënimeve dhe presioneve ndaj një tjetër kolegeje, Ola Xama është prova e radhës e urrejtjes së madhe të “Rilindjes” ndaj lirisë së fjalës.
Më shumë se kurrë duhet të solidarizohemi në mbështetje të grave gazetare si Ambrozia Meta dhe Ola Xama, modele që luftojnë me profesionalizëm të lartë dhe kurajë për të informuar me vërtetësi dhe paanësi publikun duke kontribuar për transparencën, llogaridhënien, për institucione të forta dhe luftën kundër korrupsionit.
Duke dënuar me ashpërsi dhunën ndaj gazetares Ambrozia Meta i ftoj organizatat vendase dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së mediave të reagojnë me forcë ndaj këtij brutaliteti primitiv, që e ka renditur Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë për lirinë e fjalës.
Gazetarët e pavarur duhet t’i bojkotojnë të gjithë ata zyrtarë të lartë dhe politikanë që ushtrojnë dhunë, presione dhe kërcënime ndaj kolegëve të tyre kurajozë!