Qeveria ka vendosur t’ua bëjë më të lehë marrjen e shtetësisë shqiptare të huajve, në rastet kur kontributi i tyre përbën interes kombëtar. Përmes një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare dhe të hyrë tashmë në fuqi, është vendosur që pasaportën shqiptare mund ta marrin me procedurë të përshpejtuar jo vetëm të huajt me kontribut të veçantë në fushat e arsimit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit.
“Në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar, institucioni i Presidentit ose Kryeministria apo ente të autorizuara prej tyre paraqesin kërkesën për fitim shtetësie, sipas programeve të veçanta të shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të përmbajë gjeneralitetet e individit”.
Gjithsesi në vendim nuk bëhet e ditur se cili është përkufizimi i interesit kombëtar në këtë rast dhe cilat do të jenë kriteret që do të duhet një shtetas i huaj të plotësojë për të marrë një pasaportë shqiptare. Ndërkohë që dhënia e pasaportës shqiptare të huajve me interes për vendin në fusha si arsimi, sporti, shkenca, arti dhe kultura nuk ka kriter provimin e gjuhës shqipe. Një ndër detyrimet e lehtësuara është qëndrimi për vetëm 3 muaj gjatë 5 vjetëve nga miratimi i kërkesës.
Mbështetur në të dhënat e Regjistrit Elektronik për të Huajt, përgjatë viteve 2019–2022 numërohen rreth 20 mijë shtetas të huaj me qëndrim në Shqipëri.Për vitin 2022, nga emigrantët evropianë, rreth 33.3% ishin italianë, 13% turq dhe 35% nga Kosova.