Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani në një intervistë për Ekonomia Online tha se LDK-ja po pret nga Vetëvendosje të njëjtin vullnet politik siç e ka partia e saj për të arritur marrëveshjen e koalicionit.
“Unë nuk mund të flas për Vetëvendosjen, nuk e di çfarë arsye kanë ata, duhet t’i pyesni ata për qëndrimin e tyre, ajo çka kemi shprehur një bashkëpunim në mënyrë bashkëpunuese është që të takohemi sërish dhe të ulemi të diskutojmë e t’i sqarojmë pozitat tona si LDK, pastaj ta shohim se çfarë ndodhë më tutje. Me rëndësi është që ne kemi shprehur vullnetin e plotë, do të doja ta shihja edhe të njëjtin vullnet te Vetëvendosje”, tha Osmani për EO.
Ajo tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që obligon Kushtetuta. “Këto janë procedura Kushtetuese, nëse deri më datën 26 tetor nuk ka marrëveshje atëherë është çështje e partisë së parë të vendos nëse do të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi apo jo dhe të konstituohen institucionet apo e lenë për një datë tjetër. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që jepen në përputhje me Kushtetutën”, tha Osmani.
Osmani kur u pyet për pozitën e Presidentit, tha se është çështje e balancit të pushteteve dhe asgjë tjetër.
“Ne këto çështje do t’i diskutojmë në tavolinë, në momentin e parë që ka takime, nuk është çështje e ngurrimit, është çështje e balansit të pushteteve dhe asgjë tjetër”, tha ajo për EO. Osmani tha se të gjitha çështjet do të diskutohen në tavolinë me VV-në në momentin që do të mbahet takimi i radhës ndërmjet VV-së dhe LDK-së. “Pra, vullneti ekziston besoj të tjerat diskutohen në tavolinë dhe është tejet me rëndësi të kuptohet që çështjet që janë shtruar në Këshillin e Përgjithshëm janë të tilla që i kanë dhënë përkrahje të plotë kryetarit dhe neve si nënkryetarë që negociojmë më VV-në në mënyrë që të diskutojmë çështjet që kanë mbetur të paakorduara dhe në fund të përpiqemi që të bëjmë një marrëveshje që është në të mirë të Kosovës”, tha ajo.