Në seancën e sotme plenare pritet të marrë dritën jeshile miratimi i amnistisë penale. Gazmend Bardhi deklaroi votën pro, ndërsa paraqiti edhe 3 propozime. Ai kërkoi që mes të dënuarve që do të përfitojnë nga amnistia të jenë dhe protestuesit e të përjashtohen zyrtarët e dënuar nga GJKKO.
3 propozimet e opozitës:
1.Propozim që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.
2. Propozim për përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
3. Propozim për një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.
Po ashtu në Kuvend rikthehet sërish ligji për investimet strategjike. Në seancën e sotme plenare janë parashikuar që në rend dite për votim të jenë 5 ligjet e seancës së 7 marsit, votimi i të cilave u anulua nga Sekretariati i Etikës pas kërkesës së opozitës. Shkak u bë mungesa e kuorumit për votimin e ligjeve.
Mes këtyre ligjeve është dhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatit për ligjet për investimet strategjike, një çështje kjo që ka ndodhur debat. Nga ana tjetër deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka kërkuar një interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro sa i takon ligjit për zonat e mbrojtura.