Departamenti amerikan i Thesarit më 4 prill tha se ka vendosur sanksione të reja kundër terrorizmit të lidhura me Iranin. Uashingtoni ka sanksionuar Oceanlink Maritime DMCC dhe anijet e tij për shkak të rolit në transferimin e dërgesave në emër të ushtrisë iraniane.
Thesari tha se Oceanlink Maritime DMCC ja ndërmjetësuar dërgesat e mallrave të paspecifikuara në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave Logjistike të Armatosura.
Uashingtoni tha po ashtu se anija Hecate, që menaxhohet nga një kompani me seli në Emiratet e Bashkuara Arabem së fundi ishte ngarkuar me mallra iraniane në vlerë prej më shumë se 100 milionë dollarësh me qëllim që t’i transferonte në një anije tjetër.
Transferimi i mallrave, sipas Uashingtonit, u bë më 25 mars. Në njoftim u shtua se transferimi i mallrave u bë nga Dover – anije që paraprakisht ishte thënë se operohej nga një kompani kombëtare iraniane – për në Hecate “duke përdorur teknika të fshehjes së vendndodhjes së anijeve”.
SHBA-ja identifikoi 13 anije që menaxhohen nga Oceanlink Maritime DMCC dhe i shpalli si prona të bllokuara. Ajo tha se këto anije ishin përfshirë në transferimin e mallrave iraniane “përfshirë në emër të ushtrisë së Iranit”.
SHBA-ja ka përdorur sanksione për të penguar aftësinë e Iranit që të financojë “bashkëpunëtorët e tij terrorist dhe grupet partnere si dhe të mbështesë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Thesari.
Irani ka një rrjet bashkëpunëtorësh në Lindjen e Mesme, përshirë në Liban, Siri, Irak dhe Jemen.Sanksionet do të bllokojnë të gjitha pronat e kompanisë që janë nën juridiksionin amerikan.