Mërgimtarët që janë nisur për t’i kaluar festat e fundvitit në vendlindje nga vende të ndryshme Perëndimore, po vazhdojnë të përballen me pritje të gjata nëpër kufij.
Përpos që po u duhet të presin me orë të tëra nëpër kufij të shteteve të ndryshme derisa arrijnë në pikëkalimet kufitare në Kosovë, edhe këtu po i pret gjendje njëjtë, raporton Koha.net.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëjnë me dije se radhët e automjeteve për të hyrë nga Serbia në Kosovë, në pikëkalimin kufitar të Merdarit, shkojnë deri në 1.5 kilometra.
Po ashtu, edhe në pikëkalimet tjera mes Serbisë dhe Kosovës, në Muçibabë e Jarinje, kolonat e automjeteve shkojnë deri në 1.2 kilometra.
Ndërsa, pritjet si pasojë e këtyre kolonave shkojnë deri në 3 orë në Merdar, kurse në Muçibabë deri në 2 orë. Kurse në Jarinje, ndonëse kolonat e automjeteve shkojnë deri në gati 1 km, pritjet janë vetëm 15 minutëshe.
Policia e Kosovës, në një prononcim për KTV-në, ka thënë se faji për këto pritje të gjata mbetet tek pala serbe, duke thënë se “ata po punojnë me intensitet të vogël”.