Nga Zëri i Amerikës
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë për t’u dhënë palestinezëve ‘më shumë të drejta dhe privilegje’ dhe në të cilën bëhet thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë në mënyrë të favorshme kërkesën e Autoritetit Palestinez për të qenë anëtare me të drejta të plota ne OKB.
Në Asamblenë prej 193 anëtarësh, rezoluta u miratua me 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime. Shtetet e Bashkuara ishin mes 9 vendeve që votuan kundër, bashkë me Izraelin.
Në 18 prill, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit, të mbështetur gjerësisht, që do t’i kishte hapur udhë anëtarësimit me të drejta të plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara, një synim të kahershëm të palestinezëve që Izraeli është përpjekur ta pengojë.
Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood e bëri të qartë të enjten se administrata e zotit Biden është kundër rezolutës së Asamblesë.
‘Kemi qenë shumë të qartë që në fillim se rruga për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara është përmes negociatave me Izraelin. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë’, tha ai.
Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të ‘jenë të angazhuara për paqe’ dhe Këshilli i Sigurimit duhet t’ia rekomandojë pranimin e tyre Asamblesë së Përgjithshme e cila bën miratimin përfundimtar.
Territoret palestineze morën statusin e shtet vëzhgues, jo-anëtar të OKB-së, në vitin 2012.