Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ku sipas njoftimit për media të Qeverisë, u diskutua rezultati i mbledhjes të së premtes në Këshillin e Evropës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit.
“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim
Kurti po ashtu e ka falënderuar Hargreaves edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Kosovës.
Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.
Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.
Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.