Dy nga burrat e veshur me jelek ndriçues që dukeshin si votues të zakonshëm në takimin e parë elektoral Rishi Sunak pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, janë ekspozuar tashmë si këshilltarë bashkiakë të partisë së tij konservatore.
Dje në ditën e parë të fushatës, kryeministri britanik shpërndau pamjet e takimit me punonjës fabrike ku i bëheshin pyetje për politikat e pritura dhe zgjidhjet e mundshme të probleme të masës.
Sunak ishte në një pikë shpërndarjeje biskotash në veri të vendit, ku punonjësit dukej se i bënin pyetje spontane liderit konservator.
Sot partia opozitare laburiste tha se kishte identifikuar dy këshilltarët konservatorë të maskuar si punëtorë fabrike për eventin, duke komentuar se “kryeministri është i tmerruar nga elektorati britanik”, shkruan rrjeti Daily Mail.
Kreu laburist Keir Starmer ishte i lumturuar për gafën duke thënë se Sunak “e nisi mos më keq fushatën”.
Hapja problematike e fushatës së Sunak për zgjedhjet e muajit që vjen, u bë në fabrikën në Ilkeston ku ai qëndronte në qendër të një grupi njerëzish me jelekë ndriçues.
Por mes tyre u zbulua se ishte këshilltari bashkiak i Erewash, Ben Hall-Evans dhe këshilltari i rajonit të Leicestershire, Ross Hills, të identifikuar më së pari nga rrjeti Byline Times.
Zoti Hills, shkruante sot në faqen e internetit se i ishte kërkuar të paraqitej në eventin e fushatës.
Por në event Sunak kishte zgjedhur të merrte pyetjen e parë nga Hall-Evans, i cili i tha: “Çfarë të dallon ty nga kandidatët e tjerë për përmirësimin e financave të njerëzve?”
Ndërsa Hills u zgjodh nga kryeministri për t’i bërë pyetjen e tretë, që kishte të bënte me deportimin e refugjatëve në Ruanda.
Asnjë nga dy burrat nuk përmendën në fjalën e tyre që ishin këshilltarë bashkiakë konservatorë dhe zhvillimi eshte kthyer ne objekt ironie ne rrjetet sociale./DailyMail/