Arbërishtja është gjuha zyrtare për shërbimet dhe programet e gazetarisë në kanalet RAI Calabria në Itali. Lajmin e ka dhënë Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Sipas postimit të QSPA-së, në publikimin e datës 25 maj 2024, në Gazetën Zyrtare me nr. 121, thuhet që gjuha arbëreshe do të jetë gjuhë zyrtare për shërbimet e gazetarisë dhe programet e RAI Calabria, në Itali.
Kjo arritje historike për komunitetet arbëreshe të Italisë do të shtrihet edhe në rajonin e Piemonte-s. Kontrata e Shërbimit për programet e RAI Calabria për vitet 2023-2028, zyrtarizon përdorimin e arbërishtes si gjuhë të pakicës gjuhësore historike arbëreshe e njohur nga ligji nr. 482/99.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prej 4 vitesh përmes aktiviteteve, e konferencave ndërkombëtare ka theksuar rëndësinë e arbërishtes, në nivel komunitar, institucional dhe shkencor si një çështje jetike për komunitetet e arbëreshëve të Italisë, e cila bëhet realitet pas 49-vjetësh nga ligji i reformës së RAI 103/75, duke hedhur hapin e parë në rëndësinë që duhet të marrë çështja e gjuhës në shërbimet e gazetarisë dhe në arsim, në Itali.