I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se VV-ja me siguri e ka menduar që t’ua japin postin e kryeministrit, pasi ata e morën atë të kryeparlamentarit.
“Gjithçka është e mundur në këtë vend”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.
Duke folur për marrëveshjen e re, ai ka thënë se tashmë është një konfiguracion i ri.
Ai thotë se bashkë me organet e partisë do të bisedojnë e të marrin vendime lidhur me kërkesat e tyre për bashkëqeverisje.
Mustafa thotë se gjithsesi duhet të bëhet marrëveshje e re lidhur me përgjegjësitë, por shton se ndoshta ka nevojë edhe te programi qeverisë.
Ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e kalimit të LDK-së në opozitë.
“Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitarizëm shumë të mirë, të suksesshme”.
AI thotë se po të dilte LDK-ja e para, do t’i lusnin subjektet që ta formonin qeverinë.
“Ne si të dytit i kemi 28 deputetë dhe kërkojmë që përgjegjësia jonë në qeveri të jetë karrshi votës. Ne duhet të marrim aq sa neve na takon. Ofertën tonë e kemi dhënë edhe më pak se sa që na takon. Qeverisja duhet të bërë në përgjegjësi të përbashkët”, ka thënë ai.
Mustafa thotë se derisa nuk mbyllet procesi asgjë nuk është absolute.
Ai thotë se nuk heqin dorë nga parimi që të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë populli.
Mustafa ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
“Nuk është orientimi i mirë për të shkuar në zgjedhje sepse nuk kemi bërë zgjedhje për të shkuar në zgjedhe. Energjinë tonë nuk duhet ta shfrytëzojmë për të thënë se duhet shkuar në zgjedhje por duke kërkuar zgjidhje”, ka thënë Mustafa.
“Shkojmë në zgjedhje, pa problem. Nëse shkojmë ne zgjedhje, ne do të kemi parasysh edhe faktorët që na çojnë në zgjedhje”.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se ka qenë transparent me strukturat e partisë që e drejton.
“Kam aplikuar një proces krejtësisht të hapur dhe transparent. Nuk ka gjë që nuk e din jo vetëm znj. Osmani, por edhe anëtarët Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve të LDK-së. S’ka gjë që nuk kam ndarë me të gjithë e le më me nënkryetarët e LDK-së. Në asnjë rast s’ka diferencime. Ne kemi konsultime ditore me Vjosën”, ka thënë Mustafa. 21:12
Mustafa tregon se a do ta urojë Konjufcën për postin e ri
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ai dhe partia e tij janë zënë në befasi me emërimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë Mustafa ka thënë se do ta urojë Konjufcën për postin e ri. Por kjo, thotë ai në Rubikon të KTV-së, do të bëhet si shenjë mirësjellje e jo si garancë se koalicioni për Qeveri mund të arrihet.
“Ishte befasi totale. Nuk e gjej asnjë deputet të Grupit Parlamentar të LDK-së që e ka ditur se Konjufca do të bëhet kryetar i Kuvendit. Unë nuk e kam dit dhe asnjë deputet nuk e ka ditur”, ka thënë Mustafa.
I pyetur se a do ta urojë, Mustafa ka thënë “po, gjithsesi, do t’ia uroj si ta shoh”.
“Në bisedimet që kemi pasur me Kurtin dhe Konjufcën kemi pasur raport shumë të mirë mirëpo nëse unë e uroj, kjo nuk do të thotë se kjo punë do të kulmojë me formimin e qeverisë, por vetëm gjest i mirësjelljes”, ka thënë ai. 21:07
Mustafa: I kërkova Kurtit të argumentojë deklaratën se jam i korruptuar, s’mora përgjigje
I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të argumentojë deklaratat se Mustafa ishte kryeministër i korruptuar.
“S’dëshiroj të jem pjesë e një koalicioni e mendësie të tillë. Dua që edhe VV-ja të mos vazhdojë me deklarata të tilla. Këtë e kemi diskutuar në takim këtu që është mbajtur, i kam thënë se duhet të sqarohet deklarata që e keni thënë sepse nëse ju vlerësoni që unë jam në radhë të atyre kryeministrave që kam vjedh, atëherë nuk duhet të jem këtu që të diskutoj me ju për koalicion. Ti argumentoje ku e sa kam vjedh nëse vërtetohet atëherë unë shkoj direkt në prokurori të jap përgjegjësi dhe atëherë do t’u thosha partnerëve të mi të vendosin nëse duan ta bëjnë koalicionin me Vetëvendosjen apo jo”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se nuk ka marrë përgjigje në këtë çështje, teksa ka shtuar se u ka thënë edhe partnerëve ndërkombëtarë se diskutimet e tilla duhet të ndalen.
“S’kam pasur ndonjë përgjigje të veçantë. Nuk dua ta interpretoj mirëpo vetëm dua te them se e kam hapur këtë çështje. U kam thënë edhe partnerëve të jashtëm se këto diskutime duhet të ndalen sepse s’mund të flasim për koalicione dhe të akuzojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai. 21:04
Mustafa: VV-ja gabon kur thotë se krimi e korrupsioni mund të luftohet vetëm nga ata
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk kanë insistuar që ta marrin Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ai thotë se me Vetëvendosjen ishin marrë vesh që ta bëjnë një ndarje të posteve në mënyrë të barabartë.
“Qytetarët nuk na kanë dalluar, kur na kanë dhënë votat na kanë dhënë për t’u marrë me çështjet e ligjit, shëndetësisë, arsimit, kulturës e të gjitha çështjet tjera. Çka thotë VV është e parëndësishme në pikëpamjen e votës së qytetarit. Ku është arsyeja që unë të besoj që VV-ja do të luftojë krimin e korrupsionin më mirë se ne”, ka thënë ai.
Mustafa në Rubikon thotë se VV-ja gabon kur thotë se krimi e korrupsioni mund të luftohet vetëm nga ta.
“Ne nuk e pranojmë as aludimin e VV që ata nuk mund ta luftojnë krimin e korrupsionin nëse se marrin Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkërisht me përgjegjësi të përbashkëta dhe zotim të përbashkët mund ta luftojmë korrupsionin e krimin. Një koalicion i tillë dhe një gërshetim i përgjegjësive do të ndihmonte shumë më shumë se sa individualisht të merreshim”, ka thënë ai.
Mustafa tutje ka thënë se nuk është ironike që VV-ja e LDK-ja ende nuk e kanë arritur marrëveshjen.
Ai thotë se ka qenë i bindur se marrëveshja VV-LDK do të arrihej brenda pak ditësh, duke potencuar se kishte menduar se ndarja e posteve nuk do të ishte problem.
“Kurti ka thënë se do ta bëjmë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve. Edhe unë kam thënë kështu, sepse kam qenë i bindur se do ta bëjmë. Nuk kam pritur se do të kemi probleme për ndarjen e posteve”, thotë ai..