Të gjitha mediat e huaja i kanë kthyer sytë nga Riviera Shqiptare dhe jo rastësisht. Janë peizazhet mahnitëse të krijuara nga malet, terreni shkëmbor dhe ujërat e thellë e të kristaltë, ato që e bëjnë këtë hapësirë të lakmuar jo vetëm nga vendasit, por gjithmonë e më shumë edhe nga turistët e huaj.
Revista franceze “Figaro Nautisme” ka listuar 7 vendet më mahnitëse të Rivierës Shqiptare.
Destinacioni i parë që listohet është ai i Vlorës, i cili ka gjire të egra dhe limane me ujëra të pastër kristal. Turistët mund të vijojnë drejt qytezës së bukur të Orikumit.
Këtu turistët do të mund të shijojnë një pamje panoramike që ofrojnë pyjet e larta deri në mbi 2000 metra mbi nivelin e detit.
Në shkrim përmendet edhe Dhërmiu, Jala dhe Lukova, që i vlerëson për peizazhet dhe plazhet e bukura.
Vijon me qytetin e Sarandës, që ndodhet pikërisht përballë ishullit të Korfuzit. Afër këtij qyteti ndodhet Ksamili ku turistët e huaj do të mund të çlodhen në plazhet e mrekullueshme dhe të notojnë afër ishujve të tij.
Artikulli përfundon me Butrintin, një park kombëtar dhe vend arkeologjik, i cili do t’i njohë turistët me historinë e largët të vendit.
Për median franceze ky sit arkeologjik është ideali për të përfunduar udhëtimin në Rivierën Shqiptare. Shqipëria nuk është prekur ende nga turizmi masiv, por po tërheq gjithnjë e më shumë turistë që kërkojnë udhëtime të orientuara drejt natyrës dhe kulturës.