Politikani i ekstremit të djathtë, i njohur ndryshe si babai i “Brexit”, Nigel Farage është sulmuar gjatë një vizite në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e korrikut, në qytezën e Clacton.
Një vajzë 25-vjeçare ka hedhur milkshake në drejtim të Farage teksa ai dhe stafi i tij po largoheshin nga një bar-kafe. Farage, i shoqëruar edhe nga sigurimi i tij, po dilte nga kafeneja dhe aty e priste e reja, që ia zbrazi shishen në fytyrë.
Politikani kontrovers nuk u tremb aspak por thjesht fshiu sytë dhe vazhdoi të lëvizte, ndërsa 25-vjeçarja u arrestua nga policia.
Pak orë pas sulmit, Farage reagoi duke qëndruar përpara autobusit të partisë së tij, me një milkshake me banane në dorë dhe pozoi para kamerave, duke u thënë gazetarëve: “Milkshake im sjell të gjithë njerëzit në miting”.
Kjo ishte një referencë për hitin R&B të vitit 2003 nga Kelis me tekstin popullor: “Milkshake im i sjell të gjithë djemtë në oborr”.
Pavarësisht mikpritjes që la për të dëshiruar në Clacton, Farage e cilësoi qytetin si më patriotiku në Britaninë e Madhe.
Kjo është hera e dytë që një sulm i tillë ndodh ndaj Farage, teksa një i ngjashëm i ndodhi në vitin 2019, në Neëcastle.
Farage tashmë në krye të partisë Reform UK ka nisur të denigrojë në fushatë imazhin e Konservatorëve dhe kreut të tyre Rishi Sunak, duke u thënë votuesve se ata kanë tradhtuar besimin e tyre dhe paralajmëroi kryeministrin se ai do të paguajë një çmim të rëndë në zgjedhjet e 4 korrikut.