Sulmuesi brazilian Raphinha u “rrëmbye” nga emocionet këtë të shtunë kur foli për mënyrën sesi djali i tij e ka ndihmuar të kapërcejë “problemet personale dhe profesionale” që e bënë atë të mendojë të heqë dorë dhe të pensionohet nga futbolli.
Gael, fëmija i parë i tij , lindi në maj 2023, me sulmuesin 27-vjeçar që tashmë luante për Barçën, ku u transferua në verën e vitit 2022 nga Leeds.
“Epo, kohët e fundit kam menduar të lë gjithçka për shkak të problemeve personale dhe profesionale. Kam menduar të heq dorë, të largohem nga futbolli, sepse kam pasur nevojë të kaloj disa probleme mendore, vështirësi dhe sulme nga mediat dhe tifozët”, ka thënë fillimisht Raphinha.
Raphinha doli para gazetarëve në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është duke qëndruar me ekipin kombëtar të Brazilit para Copa America, e cila fillon më datë 20 qershor.
Lojtari i përfaqësueses braziliane tani i konsideron ato vështirësi të kapërcyera falë faktit se sot ai ka “një forcë më të madhe”, që është djali i tij.
“Duke imagjinuar që një ditë djali im mund të më shohë si një frymëzim në futboll, duke mos qenë më i miri në botë, por si një referencë, kjo vlen shumë”, shpjegoi ai.
Një arsye tjetër që e shtyu atë të vazhdonte ishte mundësia e fitimit të titujve me fanellën e Brazilit, e cila do të kërkojë trofeun e 10-të të Copa America-s, aty ku ndeshjen e parë do ta luajnë ndaj Costa Ricës në grupin D që bëjnë pjesë edhe Kolumbia dhe Paraguai.
27-vjeçari ka luajtur në 37 ndeshje në të gjitha garat për Barcelonën sezonin që lamë pas, duke shënuar 10 gola dhe duke bërë 13 asistime.