Shqipëria barazoi me Kroacinë (2-2) në xhiron e dytë të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian, në një ndeshje plotë emocione dhe ritëm të lartë.
Pas pjesës së parë, Shqipëria ishte në epërsi prej 1-0 me golin e shënuar nga Qazim Laçi. Kroacia u kthye me golin e Andrej Kramaric, ndërsa Klaus Gjasula shënoi autogol. Pikërisht ishte Gjasula që shënoi për pikën e fituar nga Shqipëria.
Tani Shqipëria dhe Kroacia kanë nga një pikë, dy më pak se Italia dhe Spanja, që kanë një lojë më shumë për të zhvilluar. Më shumë për grupin do të dimë të enjten, ku Italia dhe Spanja luajnë me njëra-tjetrën nga ora 21:00.
Por cilat janë disa nga rekordet e thyera në këtë ndeshje, të veçantat e saj dhe si mbetet gara.
Shqipëria ja bëri Kroacisë, atë që nuk ia kishte bërë askush
Shqipëria e mbylli pjesën e parë ndaj Kroacisë me rezultat 1-0 në kuadër të ndeshjes së rrethit të dytë të fazës së grupeve në Euro 2024, përkatësisht në Grupin B.
Kuqezinjtë e mbyllën në epërsi përballë Kroacisë, ndërsa pjesa e parë ishte e gjitha për kuqezinjtë.
Në 45 minutat e parë, në çdo repart – lojtarët e Shqipërisë ishin të vendosur mirë, duke mos i lënë shumë punë Thomas Strakoshës.
Sipas faqes eksperte për statistika, Squawka, është hera e parë që kroatët nuk kanë arritur të regjistrojnë asnjë goditje në kuadratin e portës në një ndeshje të fazës së grupeve të Kampionatit e Evropian.
E veçanta e Andrej Kramaric
Sulmuesi i Kroacisë, Andrej Kramaric, ka shënuar golin e vetëm të kroatëve në ndeshje ndaj Shqipërisë, pasi një gol tjetër u shënua nga Klaus Gjasula në portën tonë.
Kramaric bëhet vetëm lojtari i tretë në histori të Kampionateve Evropiane që shënon gol në ditëlindjen e tij.
Para tij kishin shënuar Jean-Francois Domergue i Francës (1984) dhe ëesley Sneijder i Holandës (2008).
Dy rekordet e Klaus Gjasulës në EURO 2024
Në një statistikë nga UEFA, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka vazhduar të shkruajë histori në Kampionatet Evropiane.
Tani, Klaus Gjasula ka thyer edhe një rekord tjetër. Ai është bërë lojtari i parë në histori të këtyre eventeve që realizon gol dhe auto-gol në po të njëjtën ndeshje.
Po ashtu, goli i Klaus Gjasulës i shënuar në 94 minuta dhe 23 sekonda të ndeshjes, është goli më i vonshëm i barazimeve në historinë e Kampionateve Evropiane, pa llogaritur vazhdimet.
Shqipëria dhe Kroacia me një statistikë të bukur të përbashkët
Shqipëria dhe Kroacia kanë barazuar me rezultatin 2-2, duke u bërë ekipet e para që në një ndeshje të Euro 2024 shënojnë nga dy gola në një ndeshje.
Po ashtu për herë të parë në histori, Shqipëria merr një pikë, edhe pse në një moment të lojës ishte duke humbur.
Rekordi i Luka Modric
Mesfushori i Kroacisë, Luka Modric, bëhet lojtari më i vjetër që arrin të bëjë mbi 100 pasime në një Kampionat Evropian.
Modric që aktualisht është 38 vjeç, ndaj Shqipërisë kompletoi 108 pasime. Ai mban këtë titull edhe në Kupën e Botës, ku kundër Brazilit kompletoi 105 paqsime.
Këpucët e Jasri Asanit
Një lojtar shqiptar sot në veçanti u dallua, duke u bërë temë në mediat më të njohura botërore. Jasir Asanin, i cili asistoi te goli i shënua nga Qazim Laçi me një harkim të përsosur, u bë temë edhe pasi kishte bërë një zgjedhje speciale të këpucëve të ndeshjes së sotme.
29-vjeçari, i cili luan për Gëangju në Korenë e Jugut, doli në fushë me një palë këpucë sportive të personalizuara me imazhe të Super Mario Bros.
Në këmbën e tij të majtë, Asani kishte një imazh të hidraulikut ikonik italian të Nintendo, Mario, duke kërcyer në ajër pasi (me sa duket) goditi një breshkë dhe kishte mbledhur një sasi monedhash ari.
Në këmbën e tij të djathtë ishte Luigi, vëllai i Marios dhe partneri i krimit në kaq shumë aventura video-lojërash.
Grupi ende i hapur
Është e qartë se Shqipëria mund të shkojë tutje vetëm nëse fiton ndaj Spanjës. Me fitore, me shumë gjasa do të jetë e dyta ose e treta në grup.
Do mjaftojë një fitore për të përfunduar në vendin e dytë, me kusht që Spanja mposht Italinë dhe kjo e fundit barazon ose humbet nga Kroacia.
Nëse të katër kombëtaret do ta mbyllnin raundin me nga katër pikë, atëherë Shqipëria do të kalonte tutje, pasi për rënie Kroacia do të ishte favorit kryesor për shkak të golavarazhi shumë të dobët dhe humbjes me tre gola ndaj Spanjës.