Flet mjeku që denoncoi megaskandalin me rrezatimin e kobaltit në Onkologjik. Pranë kabinetit të tij ishte instaluar një aparat kobalti për radioterapi, dhe si i tillë natyrisht me radioaktivitet. Këtë e pohoi vetë dr. Adrian Hoti ekskluzivisht për “Versus media” në një komunikim telefonik. Në fakt, aparatura e kobaltit “rrugëve” nëpër Onkologjik duket se ka qenë më e hershme se gushti i 2021, kur mjeku Hoti e gjeti “pas qafe”.
Një burim kobalti 60 ishtev endosur në dhomën ngjitur, ndërkohë që edhe “strehimorja” e këtij burimi, edhe kabineti i tij i radiologjisë ishin po njësoj si më parë “me llaç e tulla”, jo në formë bunkeri anti-radioaktivitet, me specifikime të sakta, të cilin nuk e ka jo vetëm Onkologjia, por as QSUT.
“Versus media” mëson se shqetësimi i konstatuar në gusht nga doktori, e që u ngrit me zë dhe me shkresa në fillim të shtatorit për “ardhjen e një burimi Co60”, nuk paska qenë i pari. Në dosjen hetimore, ku janë të sekuestruara dhe një sërë komunikesh në një grup WhatsApp, rezulton se ky shqetësim është ngritur fillimisht në maj të 2021, ku siç shkruan dr. Fatjona Kraja në grupin e mjekëve të Onkologjikut:
“Fatkeqësisht shqetësimi lidhur me ardhjen e një burimi Co60 për brachytherapy është ngritur nga ana jonë që në maj të 2021, kur ne si mjekë onkolog-radioterapeut nuk dinim asnjë dhe shprehem shqetësimin si për sigurinë e bunkerit dhe për një sërë problematikash që e bënin të pamundur fillimin e brachytherapisë aq më shumë kur burimi pa një aparat funksional dhe shqetësimi ynë u vërtetua” – thuhet mes të tjerave në mesazhin e dr. Kodrës, e cila ngre dhe shqetësimin se pse NUK po bëhen transparente vlerat e rrezatimit, kur ato mund të bëhen shqetësuese dhe me pasoja për dëmtimin e shëndetit të stafit.
Por siç duket nga maji e deri në gusht ky shqetësim (që koha do ta provonte sa fatalisht i drejtë ishte) kishte rënë në vesh të shurdhët (ose pothuajse).
Ndaj, edhe kur në shtator mjeku radiolog Adrian Hoti, ngriti për herë të parë zërin për praninë jashtë çdo norme funksionimi të një aparature kobalti jashtë “një bunkeri”, por në një dhomë të zakonshme spitali, çështja nuk mori zgjidhje… Ama zëri i fortë i doktorit, e integriteti i tij nuk u shuajtën dot…
“Unë personalisht nuk lidhem me grupin e njerëzve që janë marrë me blerjen e vendosjen e kësaj aparature. Isha kthyer nga pushimet në gusht dhe pranë kabinetit të radiologjisë ishte instaluar një aparat kobalti. Duke pasur njohuri në këtë fushë nuk e shihja normale. Kushtet teknike për të përballuar një rrezatim të aparturës së kobaltit nuk ishin në standard. Dhomat ndaheshin me mure rreth 30-40 cm dhe nuk ishin të betonuara, siç parashikohet në rregulloren” – thotë dr. Hoti për VS.
“Unë iu drejtova strukturave drejtuese më një kërkesë që të reagonin dhe të bënin detyrën e tyre, sepse po rrezikonin shëndetin e stafit dhe të pacientëve e shoqëruesve të tyre, të cilët po ekspozoheshin ndaj radioaktivitetit. Nuk patën asnjë reagim. Mu deshën afërsisht 8-9 muaj përplasje mendimesh dhe nuk u arrit të ngrihej një grup specialisht në fushën e tyre për të caktuar që aparati nuk e ka vendin aty” – shton mjeku radiolog për VS.
Dr. Adrian Hoti pas përplasjeve të shumta verbale e shkresore, e kur e ka parë se kërkesa e tij po shtyhej për “kalendat greke”, mori vendimin drastik: La punën si radiolog, 24 vjet pasi kishte venë këmbë për herë të parë si mjek në këtë spital.
“Ai dha dorëheqjen duke u larguar nga puna për arsye të shqetësimit të tij të ngritur në mënyrë të përsëritur lidhur me deme të mundshme të shëndetit si pasojë e këtyre pajisjeve dhe burimeve me potencialin për të rrezikuar jetën e stafit dhe pacientëve në rast të një incidenti” – thuhen në dosjen hetimore.
Sot, në Spitalin Onkologjik mësohet se janë 7 mjekë dhe një sanitare të prekur nga sëmundjet malinje onkologjike. Mjeku radiolog Adrian Hoti, i pyetur në lidhje me këto raste shprehet se është në dijeni të faktit që ka kolegë të tij të sëmurë onkologjik, por merak e ka thotë që nuk mund të abuzojë me këtë fakt.
“Po është e vërtetë, ka kolegë të sëmurë, por a është e lidhur me faktorët e brendshme të Onkologjisë nuk e vërtetojmë dot aty. Kemi një numër të sëmurë personeli. Ndryshe nga spitalet e tjera, në atë onkologjik muajt e fundit numri i të sëmurëve me kancer është i lartë, dhe ndoshta më i lartë se në spitalet e tjera, se edhe mjekët njerëz janë dhe preken nga patologji të ndryshme, por për momentin nuk mund të themi asgjë nëse sëmundshmëria e stafit të Onkologjikut lidhet me përdorimin jashtë kritereve e standardeve të aparaturës së kobaltit apo jo. Për këtë duhet bërë një studim” – shton mjeku Hoti, i cili fatmirësisht vetë thotë se gëzon shëndet të plotë e të mirë, pavarësisht se pas kurrizit të rij emetohej çdo ditë radioaktivitet.