Një person konsumoi fotoksinë sot para dyerve të jashtme të SPAK-ut dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Mësohet se ai është 63-vjeçari nga Lezha Pal Trashaj, një historian i njohur në qytetin e Lezhës, i cili ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore të qytetit si dhe ka qenë Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Prej vitesh ai ka denoncuar një mashtrim që pretendon se i është bërë pasi ka marrë një kredi te institucioni financiar NOA.
Trashaj ka deklaruar në atë kohë se kredinë e kishte shlyer të gjithën, megjithatë NOA i kërkonte para të tjera. Në pamundësi për të paguar më tepër nga çfarë i takonte, përmbaruesi i sekuestroi atij pronën.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa gjendja shëndetësore e tij nuk dihet ende.
“Më datë 02.07.2024, në rrugën “Panorama”, përballë godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shtetasi P. T., 63 vjeç, dyshohet se ka konsumuar fostoksinë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi policia.
Në vitin 2015, Trashaj ishte gjobitur nga Gjykata pasi kishte kërcënuar me mesazh drejtorin e një banke të nivelit të dytë.