“Sa më herët, më mirë se sa më vonë, të shkojmë e të paqtohemi me një formacion, politik para së gjithash, por edhe elektoral. Ndaj një orë më parë, me këtë logjike, me këtë lloj profili, me ide politike të djathta që mbështesin ligjshmërinë e vlerave të të djathtëve, që largohen nga kryetarokracia, që të ofrojmë këtë lloj oferte apo siluetë të re politike elektorale.”
Siç edhe vetë e pohoi, Enkelejd Alibeaj, bashkë me demokratë të tjerë nuk kanë pritur gjatë dhe tashmë janë në hapat e fundit drejt zyrtarizimit të një formacioni të ri politik. Siç mëson A2 CNN, brenda pak ditëve në skenën politike pritet të prezantohet edhe emri i partisë së re.
Teksa Lulzim Basha është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit për të trokitur në dyert e Gjykatës së Lartë për rekurs mbi çështjen e logos dhe vulës së PD, shumë prej atyre që deri më tani e kanë mbështetur, mendojnë që koha nuk duhet humbur dhe do trokasin në Gjykatën e Shkallës së Parë për të regjistruar partinë.
Shenjat e para të braktisjes së Bashës, u panë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të premten, ku krah kryetarit të Demokratëve Euroatlantik ishin vetëm 4 deputetë nga 11 që e mbështesnin më parë.
Enkelejd Alibeaj, Roland Bejko, Rezart Kthupi, Edvin Kulluri dhe zyrtarë të tjerë të Kryesisë mungonin, duke treguar distancim dhe mospajtim me vendimin e Bashës se duhet pritur edhe nga shkalla e lartë e drejtësisë për vulën dhe logon e PD.
Madje Kulluri edhe publikisht i ka shprehur hapur kritikat ndaj vendimmarrjeve të Bashës.
“Sot duhet të jemi të vendosur drejt partisë së re. O bëhet parti o nuk bëhet. Rekursi mund të bëhet, por nuk kam ndonjë shpresë. Do kohë dhe nuk mund t’i mbajmë njerëzit me ëndrra. Rruga e rekursit është e gjatë, uroj që të jetë e mundshme. Ne sot nuk hyjmë dot në zgjedhje”.
Teksa mbështetësit e Bashës po largohen një nga një drejt së resë, duket se në politikë do të rishfaqet edhe Fatbardh Kadilli.
Dikur kërkoi të formonte Iniciativën Demokratike, por kjo nismë rezultoi pa sukses. Pavarësisht kësaj, akronimi duket se ka mbetur dhe të zhgënjyerit e Bashës mund të prezantohen me IDE, Iniciativa e Demokratëve Euroatlantikë, gati identike me Demokratët Euroatlantikë përdorur së fundmi nga Basha.