Për të kishte një shpërblim 15 milionë dollarësh, por tashmë bosi i madh dhe themeluesi i Kartelit të Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada u arrestuan në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, së bashku me të u vu në pranga edhe djali i El Chapos, Joaquin Guzman Lopez.
Zambada qëndronte në arrati prej dekadash dhe konsiderohet si trafikanti më i madh i narkotikëve në botë.
Në gjyqin e El Chapos në vitin 2019, avokatët e tij pretendonin se ishte El Mayo kreu i vërtetë i organizatës. Ata e akuzuan El Mayon se kishte korruptuar të gjithë qeverinë meksikane në mënyrë që të jetonte i lirë.
Kush është fermeri që trashëgoi “mbretërinë e drogës” nga El Chapo?
Ismael “El Mayo” Zambada” – Është një trafikant droge meksikan, i cili drejton Kartelin famëkeq të Sinaloas pas arrestimit të Joaquin “El Chapo” Guzman, pasi më parë drejtonte në terren operacionin e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Për dekada me radhë Zambada i ka shpëtuar drejtësisë meksikane dhe asaj amerikane, pasi është shpallur në kërkim që prej vitit 1998.
Trefishimi i shifrës që SHBA ofron për Zambada-n ndodhi në vitin 2021. El Mayo mori drejtimin e Kartelit pas arrestimit të El Chapos, por për dekada ka qenë krahu i tij i djathtë.
“Kartelet meksikane prodhojnë lëndë narkotike në sasi industriale”, thotë Robert Bell, Agjent Special i DEA-s në Çikago për televizionin lokal “Abc7Chicago”. “Diferenca mes tij dhe El Chapos është se El Chapo ka qenë më i ri dhe më i lëvizshëm, ndërsa El Mayo ka qëndruar gjithmonë në prapaskenë të kartelit. Ndryshe nga figurat e tjera kyçe që janë arrestuar apo vrarë, ai vijon të jetë i lirë”, shprehej disa kohë më parë Ed Farrell, ish-marshall amerikan në Çikago.
Para se të niste trafikun e drogës, Zambada ishte fermer. Dalë-ngadalë ai shtoi prezencën e tij në tregun amerikan, duke u përqendruar kryesisht në Çikago, e më pas “biznesi” i tij u përfshi në Kartelin e Guadalaharës, kartelin e parë të mirëfilltë meksikan të drogës, nën drejtimin e Miguel Ángel Félix Gallardo.
Pas arrestimit të El Chapos, ai ia besoi djemtë e tij El Mayos, me të cilët ky i fundit ndau biznesin 50 me 50. Por jeta e luksit e djemve të El Chapos, Ivan dhe Jesus Alfredo Guzman, të cilët janë sanksionuar si operativë të Kartelit të Sinaloas edhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit, ka barë që marrëdhënie e tyre të jetë e tensionuar.
Autoritetet amerikane thonë se Karteli i Sinaloas është furnizuesi më i madh i narkotikëve në SHBA, kryesisht kokainë dhe fentanil. Kjo e fundit konsiderohet si shkaktarja kryesore e vdekjes së amerikanëve të grupmoshës 18-45 vjeç.