Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alstair King Smith, nënshkruan të martën memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Laprakë.
Memorandumi i bashkëpunimit, u nënshkrua në Ministrinë e Brendshme. Ai parashikon që Policisë së Shtetit t’i dhurohet nga Britania e Madhe 1 milionë sterlina grand për ndërtimin e godinës së re, ku Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare dhe Migracionit do të ushtrojë veprimtarinë e saj.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale, pas nënshkrimit të marrëveshjes, nënvizon se bashkëpunimi me Britaninë e Madhe ka dhënë rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.
“Gjatë detyrës si Ministër i Brendshëm pata mundësinë të bashkëpunoja me homologët Suella Braverman, James Cleverly dhe Yvette Cooper, duke shënuar rezultate të dukshme luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e migracionit të paligjshëm”, nënvizon Balla.
“I falenderoj për bashkëpunimin rezultativ dhe vlerësimin e tyre për punën e bërë në një kohë kaq të shkurtër. Ambasadori Alastair King Smith, i cili po përfundon mandatin e tij në Shqipëri, meriton gjithashtu vlerësimin maksimal për kontributin dhe angazhimin efektiv në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në shumë fusha”, përfundon Balla.