Një ditë pas vizitës së ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Svelça në Shkup, nga Maqedonia e Veriut vjen lajmi për lirimin me kusht të ish-ushtarit të UCK-së Blerim Ramadani.
Ai ishte arrestuar nga policia e Maqedonisë së Veriut në pikëkalimin kufitar të Jazhnicës, me kërkesë të Interpolit të Serbisë dhe i ishte caktuar masa e 30 ditëve paraburgim.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, Faton Klinaku ka bërë të ditur për mediat në Kosovë, se ishte informuar, se Ramadani ishte liruar me kusht nga paraburgimi.
Një ditë më herët, ministri Sveçla tha pas takimit me homologun e tij në Shkup, Pançe Toshkovski se nuk duhet të lejohet që vendet e treta të vështirësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve.
Kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish luftëtarit të UÇK, ai e cilësoi si kriminale.
“Nuk do të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë, të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore, të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.”
Me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake, Ramadani do të qëndrojë në arrest shtëpie e deri më 16 gusht, kur pritet të përfundojnë procedurat e mëtejshme.