Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po vijojnë punën për përgatitjen e dosjes teknike të nominimit të Luginës së Vjosës, Rezervë Biosfere.
Përgatitja e dosjes teknike po ndiqet nga një proces i standardizuar nga UNESCO dhe programi “Njeriu dhe Biosfera”, që kërkon kontributin dhe përfshirjen e të gjithëve në takimet e ndërmarra në kuadrin e dëgjesave publike.
Në datë 21 gusht, do të organizohet një takim në Tepelenë, për të ndarë informacione dhe diskutime mbi Bordin e Menaxhimit, me Petr Čupa, ekspert për menaxhimin e Rezervave Biosferë UNESCO.
Statusi i ri, do t’i shërbejë statusit aktual të parkut kombëtar dhe njëkohësisht do të rregullojë veprimtaritë njerëzore brenda Luginës së Vjosës, që shtrihet në qarqet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Fierit.
Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit natyrorë në Evropë. Përgjatë gjithë rrjedhës së tij prej mbi 270 kilometra lumi është i paprekur dhe rrjedh i lirë, me larmi tiparesh hidro-morfologjike. Së bashku me degët e saj, Vjosa përbën një ekosistem dinamik thuajse natyror, të rrallë për Evropën. Lugina e Vjosës shtrihet në jug të Shqipërisë në një lartësi mesatare 855 m.n.d. Rrjeti hidrografik i sistemit lumor të Vjosës rrjedh përmes masiveve para-malore e malore, me lartësi maksimale mbi 2600 m.n.d.