Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq tha se gjashtë persona, mes të cilëve katër fëmijë, humbën jetën tragjikisht nga zjarri në Novi Sad.
“Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e sotëm, rreth orës 03:00, në shtëpinë në rrugën “Gjorgja Dere”, vdiqën gjashtë persona, duke përfshirë katër fëmijë, të moshës nga dy deri në shtatë vjeç”, tha ai.
Supozohet se ata janë anëtarët e familjes që jetonin në atë adresë, D.A (23), E.S. (5) dhe L.A. (2), shkruan N1.
Anëtarët e Administratës për Situata Emergjente, nëntë zjarrfikës me dy vetura, kanë shuar zjarrin, ndërsa policia dhe prokurori publik kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes.
Në vendin e zjarrit janë mbledhur ekipe gazetarësh dhe familjarë të viktimave.
Ndryshe, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një skuter i lidhur me rrjetin elektrik.