Albania
Largimi i të rinjve, bujqësia shqiptare po kthehet në një profesion për pensionistët
Në Shqipëri ekzistojnë rreth 350 mijë ferma bujqësore, ku gati 160 mijë prej tyre kanë më pak se 1 hektarë tokë bujqësore, treguesi ky më i ulët në rajon. Fermerët e vegjël po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe çmimeve të ulëta të prodhimeve të tyre në treg.
70-vjeçari Ahmet Sulejmani është një nga fermerët në Anë të Malit, në Shkodër, i njohur për prodhimet bujqësore por edhe pasionin me të cilin ai punon në fermën e tij të vogël, e cila gjendet pranë kufirit me Malin e Zi.
Ahmeti i tha Zërit të Amerikës se këtë vit mbolli në fermë të gjitha llojet e perimeve, por në fund mbeti i pakënaqur pasi nuk arriti të shesë të gjithë prodhimin.
“Këtë vit punuam më shumë, por fituam më pak. Kjo ishte befasi. Edhe po të punosh, i gjithë malli shkon dëm. Shitet, por tregtari abuzon në mënyrë të pashembullt. E marrin bostanin krejt lirë. Nuk ke bostan sot në Shkodër nën 20 lekë kilogrami, ndërsa ne na e merr me 3-4 lekë. A ka interes të punosh tokën?”, tregon ai.
Ana e Malit përfshihet në zonën e Nën Shkodrës, një nga zonat me traditë në prodhimin e misrit, por edhe të perimeve. Ajo është goditur vitet e fundit nga përmbytjet e njëpasnjëshme, që kanë dëmtuar prodhimin bujqësor, por edhe ekonominë e mijëra banorëve të kësaj zone.
“Unë nuk jam përfaqësues i Anës së Malit. Jam banor i kësaj zone. Por, them me bindje se Ana e Malit është një nga zonat më të shkatërruara. Nuk ka ujë për të vaditur tokat, ndaj tokat janë tharë. Ka ardhur një eskavator, i cili ka hapur një kanal aty dhe ka ikur. Po kush prej fshatarëve apo fermerëve është në gjendje për të pastruar kanalet?”, thotë ai.
Si pjesa më e madhe e banorëve të Anës së Malit edhe Ahmeti e ka tokën e trashëguar. Në Shqipëri sektori bujqësor kontribuon në një të pestën e ekonomisë së vendit, por ka copëzimin më të lartë të tokës në krahasim me vendet e rajonit. Në të gjithë vendin numërohen më shumë se 350 mijë ferma të ngjashme me atë të fermerit Ahmet Sulejmani, nga të cilat, gati 160 mijë janë më pak se 1 hektar tokë bujqësore.
Fermeri Sulejmani ka më pak se 1 hektar tokë bujqësore, të cilën e ka të trashëguar. Ai thotë se këtë sipërfaqe e përballon, por nuk ka mundësi që të zgjerohet. Edhe subvencionimi i naftës nga shteti, me aq sa na jepet, thotë ai, nuk u del asgjë dhe nuk jepet në kohën e duhur.
Megjithëse bujqësia është një nga sektorët prioritar në ekonominë e Shqipërisë, fermeri Ahmet Sulejmani thotë se nga viti në vit ajo po kthehet në një profesion për pensionistët, pasi të rinjtë po largohen dhe, as pushteti qendror dhe as ai vendor, nuk kanë ndonjë ide si të ndryshojnë situatën.
“Nuk ka asnjë ide, as pushteti lokal as ai qendror, për njerëzit e tokës. Unë jam 70 vjeç. Në këtë moshë, edhe afër kësaj moshe, punojnë sot në bujqësi. Të rinj nuk ke as një përqind. Dhe shteti nuk ka asnjë ide si të na favorizojnë ne, të na japin pak gjallëri. Se 10 mijë lek pension kam unë dhe nesër më duhet të paguaj 50 mijë lekë taksa në bashki”, thotë ai.
Jeta në fshatin Ana e Malit është e ngjashme me atë të dhjetëra fshatrave të Shkodrës, ku një pjesë e banorëve largohen drejt emigracionit apo në qytet. Braktisja e fshatit është edhe dhimbja më e madhe për një fermer si Ahmet Sulejmanin, që jetën ja ka kushtuar tokës dhe fshatit./Zeri Amerikës/
Albania
Vendimi i qeverisë, zbardhet skema e re e kompensimit, nga 600 deri në 1800 lekë shtesë në muaj, ja kush përfiton
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, një masë që hyn në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.
Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, fondi total për këtë skemë kap vlerën e 9.8 miliardë lekëve.
Si ndahen kategoritë dhe sa është shtesa?
Qeveria ka ndarë përfituesit në 5 kategori kryesore, bazuar në nivelin e të ardhurave mujore që ata kanë pasur deri në datën 31.12.2025:
Shtesën maksimale prej 1,800 lekë/muaj e përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë të plota (urbane), minatorët, punonjësit e naftës, gazit dhe metalurgjisë.
Shtesën prej 1,000 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionet rurale (të fshatit).
Shtesën 800 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 22,000 lekë.
Në këtë grup përfshihen pensionet e pjesshme (urbane), pensionet sociale dhe ata që nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit.
Shtesën 700 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë, ku janë përfituesit e pensionit familjar, përfshirë familjet e pilotëve.
Ndërsa shtesën 600 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë.
Këtu përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve të invaliditetit.
Kush përfiton tjetër?
Një pikë e rëndësishme e vendimit është se ky kompensim nuk prek vetëm pensionistët aktualë. Përfitojnë edhe personat që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, me kusht që të ardhurat e tyre të mos kalojnë tavanet e përcaktuara më sipër. Megjithatë, ata që fitojnë të drejtën e pensionit pas datës 1 janar 2027, nuk do të jenë subjekt i këtij vendimi.
Vendimi saktëson gjithashtu se këto kompensime nuk do të preken (nuk do të ulen apo ndryshojnë) në rastet kur qeveria miraton indeksime të tjera të pensioneve në të ardhmen.
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pagesat do të shpërndahen përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Albania
Qeveria nderon legjendat, 13 figura të shquara të artit dhe sportit përfitojnë pension të posaçëm
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të vlerësuar financiarisht dhe moralisht disa nga emrat më të spikatur të jetës publike në Shqipëri, të cilët kanë lënë gjurmë ndër vite në fushat e artit, kulturës dhe sportit.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, 13 personalitete do të përfitojnë “shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”.
Masa e kësaj shtese është përcaktuar të jetë sa dhjetëfishi i pensionit social, një vlerësim maksimal që u bëhet këtyre figurave për kontributin e dhënë.
Në listën e miratuar spikasin emra të mëdhenj të humorit dhe teatrit si Agim Bajko dhe Aishe Stari, apo legjenda të futbollit shqiptar si Agustin Kola i Tiranës dhe Vasillaq Zëri i Flamurtarit.
Lista e plotë e përfituesve:
Agim Bajko – Aktor i njohur i humorit dhe satirës.
Agustin Kola – Ish-futbollist dhe trajner i shquar, ikonë e KF Tiranës.
Aishe Stari – Aktore e njohur, veçanërisht për kontributin në estradën e Durrësit.
Vasillaq Ruci – Legjenda e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar.
Nikolin Gurakuqi – Regjisor i njohur operistik.
Shegushe Bebeti – Regjisore dhe figurë e rëndësishme e teatrit të kukullave.
Edera Alibegaj – Ish-basketbolliste e shquar.
Virxhil Karaja – Figurë e njohur e sportit.
Kujtim Vorpsi – Mjeshtër i imazhit/kinematografisë.
Kostandin Shkurti
Kostandin Kamberi- Aktor i njohur i humorit në estradën e Tiranës
Leonard Toska- Peshëngritës
Rapo Tao- Figurë legjendare e futbollit vlonjat
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe është pjesë e përpjekjeve shtetërore për të garantuar një trajtim dinjitoz për ata që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në skena dhe stadiume.
Albania
Adriatik Lapaj: Vitin e Ri do e hamë në shesh te Kryeministria
Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, thotë se protesta e tij dhe mbështetësve të tij te Kryeministria, do të vazhdojë edhe në natën e ndërrimit të viteve.
“Krishtlindjet i hëngrëm këtu. Nesër Vitin e Ri, besoj, të jemi mirë me shëndet, do ta konsumojmë këtu dhe unë them që do jemi këtu gjatë dhe do rezistojmë për të dhënë një model proteste qëndrese”, tha Lapaj për A2 CNN.
Sipas tij, ky model do të bindë njerëzit të shtohen edhe më shumë në shesh, pas Vitit të Ri.
“Ata që thoshin “Ku janë numrat?”, ditën e shtunë besoj e morë një mesazh të qartë. Nuk ishin jashtëzakonisht shumë, po ishin shumë në raport me atë që nisi. Të mbledhësh sot 2000 qytetarë të lirë pa i detyruar, pa i marrë me kërcënim, pa i marrë me para, pa u ofruar vende pune dhe t’u ngjallësh shpresën, është një fillim i mirë dhe unë mendoj që ditën e diel do jemi shumë dhe mendoj që kjo që ka nisur do të përkthehet në një reagim të madh popullor në vazhdim përballë këtij regjimi hajdutësh me në krye Edi Ramën”,- është shprehur Lapaj.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania12 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
