Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha solli sot në vëmendje se më 5 janar 1991 doli numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e para gazetë opozitare pas afro 50 vitesh censure dhe shtypi të kontrolluar nga partia-shtet.
““RD” ishte vepër e intelektualëve shqiptarë, e studentëve, e të gjithë atyre qindra e mijëra vullneteve që iu bashkuan që në fillim Partisë Demokratike, si alternativa e themeluar për t’i kthyer Shqipërisë fjalën e lirë, votën e lirë dhe aspiratën për rikthim në gjirin e familjes europiane”, tha Basha.
“Tek Rilindja Demokratike u thye së pari tabuja e censurës dhe e autocensurës, nisën së pari të publikoheshin të vërtetat e fshehura për Historinë e Shqipërisë, për Historinë e Letërsisë, për Gjuhësinë Historike, për Albanologjinë e për Etnografinë shqiptare, u fol hapur e pa drojë për çështjen ende të pazgjidhur shqiptare, për shqiptarët në trojet e tyre në Ballkan si dhe për aspiratën e tyre për bashkim kombëtar nën suazën e Bashkimit Europian dhe NATO-s”, theksoi Basha.
Ai u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që me kurajo dhe vendosmëri e sollën RD-në në jetë në kushtet e vështira të dhunës, kërcënimeve dhe terrorit shtetëror. “Në këtë përvjetor, dua të falenderoj dhe përgëzoj të gjithë gazetarët dhe drejtuesit, kryeredaktorët, gazetarët dhe punonjësit e RD-së në vite, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në aktivitetin e saj dhe për Shqipërinë”, tha ai.
Sipas Bashës, 2020 ka ardhur me një leksion të rëndësishëm, jo vetëm për median, jo veç për shtypin, por edhe për politikën, edhe për vetë sistemin e demokracisë.
“Ashtu si në janarin e 1991-it, beteja për fjalën e lirë është shndërruar sot në kauzë kryesore të të gjithë atyre që nuk duan që Shqipërinë ta lënë në kthetrat e pesimizmit, në kthetrat e atyre që mendojnë se në mosbesim e në dëshpërim, Shqipëria sundohet më lehtë”, tha ai./ATSH/