Prokuroria e Venezuelës ka kërkuar arrestimin e kandidatit të opozitës në zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut, Edmundo González Urrutia, nën akuzat e “krimeve të uzurpimit të funksioneve, falsifikimit të dokumenteve publike, nxitjes për mosbindje ndaj ligjeve të shtetit, komplot dhe sabotim”.
Kërkesa është lëshuar nga prokurori Luis Ernesto Dueñez Reyes dhe i drejtohet gjyqtarit të posaçëm të shkallës së parë për çështjet që lidhen me krimet e terrorizmit, për ta bërë atë të zbatueshme.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara sekuestruan avionin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro në Republikën Domenikane, pasi përcaktuan se blerja e tij ishte bërë në kundërshtim me sanksionet amerikane, duke ngrirë edhe më tej marrëdhëniet me Venezuelën.
Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë sekuestroi një avion që pretendohet se është blerë në mënyrë të paligjshme për 13 milionë dollarë përmes një kompanie guaskë dhe u kontrabandua nga Shtetet e Bashkuara për t’u përdorur nga Nicolas Maduro dhe miqtë e tij.
Avioni, i cili është një Dassault Falcon 900EX, që atëherë është përdorur për të fluturuar “pothuajse ekskluzivisht drejt dhe nga një bazë ushtarake në Venezuelë”, tha Departamenti i Drejtësisë.
Ai kishte qenë në Republikën Domenikane muajt e fundit dhe kjo i hapi rrugën zyrtarëve amerikanë që ta sekuestronin.