Kryetari i Partise Demokratike, Sali Berisha akuzohet nga SPAK se është korruptuar nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili në dosjen “Partizani” akuzohet gjithashtu se ka pastruar miliona euro të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi me ndërtimin e disa pallateve në tokën e ish-kompleksit sportiv.
Një ndër episodet që SPAK përmend është edhe pagesa që Bektashi ka bërë pë mbërritjen në Shqipëri të një këngëtari të njohur italian.
Ish-kryeministri Berisha zbuloi sot gjatë protestës nga shtëpia e tij, se bëhet fjalë për këngëtarin Riccardo Cocciante. Berisha tha se Bektashi i ka paguar udhëtimin dhe qëndrimin dy ditë në Shqipëri, teksa Cocciante është dekoruar gjatë vizitës së tij nga Presidenti i Republikës në atë kohë i ndjeri Bujar Nishani.
Sipas Berishës, ai nuk kishte dijeni për sponsorizimin, madje ai e falënderoi publikisht biznesmenin Fatmir Bektashi.
“Shqiptarët duhet ta dinë se këta anëtarë të organizatës kriminale të Skapit kanë akuzuar për korrupsion me Sali Berishën, Fatmir Bektashin sepse ky biznesmen i nderuar, që ka ndërtuar në të gjithë Tiranën gjithë jetën e tij, dhe që tani ka ndërtuar në tokën e tij, paska sponsorizuar në vitin 2013 një udhëtim të Elhaida Danit dhe Rikardo Koçantes, kur ajo fitoi Voice Of Italy.
Ministria e Kulturës ftoi këngëtaren tonë, e cila korri një sukses të jashtëzakonshëm në Itali, dhe mentorin e saj që ishte arkitekt i atij suksesi, Rikardo Koçante në Shqipëri, për të nderuar me një medalje nga Presidenti i Republikës, këngëtarin e njohur italian.
Fatmir Bektashi paska sponsorizuar me 4500 euro udhëtimin dhe qëndrimin e tyre dy net në Tiranë.
Pra, ky është korrupsioni i Sali Berishës, sepse një biznesmen ka sponsorizuar jo për kryeministrinë, për Ministrinë e Kulturës, në përputhje me të gjitha rregullat, me deklarime dhe çdo gjë, ardhjen e njërit prej personaliteteve më të njohura të këngës dhe muzikës italiane., Sali Berisha.