Një pjesë e të ardhurave nga biletat e vizitave në muze, kala, parqe arkeologjike, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “për më shumë shërbime, për më shumë mirëmbajtje, për më shumë dinjitet dhe një kërkesë të vetë institucioneve, rishikojmë çmimin e biletave për të vizituar muzetë kombëtarë dhe parqet arkeologjike. Pa harruar ditë të caktuara kremtuese apo e diela e fundit e çdo muaji, e cila është falas. Për vitin 2020, një pjesë e të ardhurave nga biletat, do të shkojë për shërimin e plagëve të tërmetit”.
Sa i përket tarifave të reja për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore përfitojnë biletë falas, fëmijë deri 12 vjeç, veteranët, invalidët, ish-të përndjekurit, guidat dhe shoqëruesit e invalidëve. Gjithashtu përfitojnë dhe subjektet që zhvillojnë aktivitete brenda hapësirës së parkut apo monumentit.
Ndërsa vizita është falas çdo të diele të fundit të çdo muaji në të gjitha sitet dhe muzetë. Si edhe ditët kombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar trashëgimisë kulturore, Dita e Pavarësisë dhe Dita e Çlirimit.
Gjithashtu përfitojnë reduktim çmimi studentët në masën 70%, çmime dhe shërbime cilësore për operatorët turistikë, çmim favorizues për vizitat në Butrint në grupe mbi 50 veta, grupmosha 12-18 vjeç dhe pensionistët./ATSH/