Një debat ka shpërthyer rishtazi në Shqipëri sa i përket nivelit të elokuencës dhe njohurive që të rinjtë, të cilët kanë vendosur të angazhohen politikisht shfaqin në studiot televizive kur thirren për të shprehur qëndrimin e tyre mbi vendimmarrje të qeverisë apo opozitës.
Ndjekja e modelit të liderëve të pas 90’ prej tyre dhe thurja e lavdeve janë cilësuar si të meta që mund të ndikojnë formimin e elitës së re politike në Shqipëri dhe kjo çështje u trajtua mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Debati kishte për protagonist katër të rinj që pretendojnë se mund të bëjnë ndryshimin përmes angazhimit në forca të caktuara politike në vend, në këtë rast PS, PD dhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
Anëtarja e Partisë Socialiste dhe Akademisë Politike të së majtës, Marjana Prenga, teksa tregonte arsyet pse ajo është angazhuar politikisht pranë partisë në pushtet, vlerësoi edhe faktin që sipas saj në PS flitet dhe diskutohet edhe mbi problemet, kritikat e mangësitë në modelin e qeverisjes.
Por teksa u pyet nga moderatori nëse në Akademinë Politike është diskutuar ndonjëherë mbi shkrimtarin Dritëro Agolli, kritikat e të cilit çuan në krijimin e Partisë Socialiste moderne, Prenga la të kuptohej se nuk e njihte ish-deputetin e ndjerë socialist e as vizionin e tij për të majtën shqiptare.
DISKUTIMI NË STUDIO:
Marjana Prenga: Jam pjesë e partisë sepse mendoj që kjo parti ka nevojë ndoshta për disa infrastruktura të tjera, që ne të rinjtë, nga profesionet që kemi, trajnimet e të tjera me radhë mund të sjellim diçka të mirë, me politika që janë kryesisht të rinj.
Andrea Danglli: Kritika është që nuk ka patur të rinj Partia Socialiste!
Marjana Prenga: PS ka pasur shumë të rinj, biles është e vetmja parti që afron të rinjtë. Por po them që nëse do mendoja një kritikë për PS, për momentin mendoj se nuk e kam të gjithë forumin për ta kritikuar për PS.
Andrea Danglli: Po te Akademia Politike që keni ndjekur, është folur për kritika ndaj PS?
Marjana Prenga: Absolutisht që po, edhe për kritika edhe për programet që do ndjekim në vazhdim, edhe për “Shqipërinë 2030” që ne e kemi tashmë një vizion të qartë.
Andrea Danglli: Po për kureshtje, për Dritëro Agollin është folur në Akademi?
Marjana Prenga: Nuk kemi bërë diskutime që lidhen jashtë Partisë Socialiste. Ne kemi bërë diskutime që lidhen me të majtën, me vizion që do të ketë PS. Me mënyrën si PS duhet të implementojë politikën e saj për secilën nga shtresat që kemi në fokus. Tani ne do kalojmë në fazë tjetër, sepse vizioni ynë përsa i përket atyre programeve që kishim në 2013 janë plotësuar tashmë.
Andrea Danglli: Marjana, ndryshimi i emrit të Partisë Socialiste dhe asaj që sot është PS ka ardhur pas një fjalimi madhështor të Dritëro Agollit, i cili ka patur kritika dhe rezerva ndaj PS. Pra është pjesë e të majtës dhe asaj që sot është PS.
Marjana Prenga: Po pse mendon që në 2024 do vazhdojmë akoma të ngelemi. Ne themelet i kemi.
Andrea Danglli: Por historia është e rëndësishme!
Marjana Prenga: Patjetër që historia është shumë e rëndësishme, por për ne është më i rëndësishëm progresi.