I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ishte i pranishëm në Ditën e Vizitorëve të Shquar, në Stërvitjen e Përbashkët ushtarake mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere Wolf – 24”, pjesë e “Corridor VIII Response”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni, Lordi Stuart Peach tha se si partnerë të NATO-s, fokusi nuk është vetëm në zhvillimet në Ukrainë, por dhe në bashkëveprimin rajonal dhe mbi mënyrën sesi ka evoluar lufta moderne.
Ai theksoi se specialistët britanikë kanë qenë gjatë muajve të fundit në tunelet nëntokësore të Kukësit, ku kanë testuar aftësitë e tyre gjeodezike.
“Si partnerë të NATO-s, fokusi ynë nuk është vetëm në zhvillimet në Ukrainë, dhe në bashkëveprimin rajonal, por gjithashtu edhe mbi mënyrën sesi ka evoluar lufta moderne.
Me ndihmën e kolegëve të Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, xhenierët mbretërorë britanikë kanë dërguar ekipe specialistësh gjatë muajve të fundit, për të studiuar kompleksin nëntokësor të Kukësit, për të testuar aftësitë e tyre gjeodezike dhe ky dislokim theksoi potencialin e sistemit jo vetëm në përdorimin e teknologjisë dhe aparaturave, por edhe mundësinë e zhvillimit të industrisë së turizmit në veri të Shqipërisë.
Rëndësia e tuneleve nëntokësore në luftën moderne u evidentua, kur një pjesë e ekspertëve britanikë u thirrën më herët për të raportuar mbi rrjetin e tuneleve të Hamasit në Gaza, i cili përmendej në lajme gjatë asaj jave. Kjo nxjerr në pah faktin se bashkëpunimi ynë është i larmishëm, ambicioz dhe novator, i cili shkon përtej atyre që mësojmë përgjatë kurseve të karrierës dhe ushtrimeve konvencionale”.