Derbi midis Xhenovas dhe Sampdorias, i vlefshëm për Kupën e Italisë, ka rikthyer edhe njëherë tensionet në qytetin verior italian, teksa një skenar gueril urban u zbatua mbrëmjen e djeshme në rrugët përreth stadiumit “Luigi Ferraris”.
Pati sulme ndaj policisë dhe përplasje të raportuara në zona të ndryshme të qytetit midis dy tifozerive, të cilat lanë të plagosur të paktën tetë persona, që përfunduan në spital jo në gjendje të rëndë.
Përplasjet nisën shtatë orë para ndeshjes dhe vazhduan deri në mesnatë, pas përfundimit të saj me fitoren përmes penalltive të Sampdorias.
Grupet ultras që dolën nga stadiumi Luigi Ferraris para fishkëllimës së fundit nuk e panë as rezultatin përfundimtar të ndeshjes dhe u grumbulluan nën shkallët jugore dhe veriore, gati për përplasje.
Rreth 300 efektivë policie, karabinierë me automjete të blinduara, mburoja dhe bombola gazi lotsjellës u vendosën po aty për të mbajtur të ndara dy fraksionet.
Ata kanë arrestuar të paktën dhjetë persona për përleshjet, por vijon identifikimi i individëve të dhunshëm me fytyrë të mbuluar, të veshur me të zeza, të armatosur me hekura, shkopinj që shkaktuan përleshje dhe i vunë flakën një lagjeje. Gjatë mbrëmjes ka mbetur i plagosur në fytyrë edhe një punonjës policie, me gjasë i goditur nga shishe apo sende të hedhura.
Automjetet e blinduara aktivizuan edhe autobotet që hodhën ujë për shpërndarjen e tifozëve të dhunshëm, të cilët u ngjitën në një furgon policie, duke e goditur me shufra hekuri dhe duke shkulur tabela rruge.