Armando Broja synon të debutojë me skuadrën e tij të re, Everton, në mesin e muajit të ardhshëm, pasi rikuperimi nga dëmtimi në tendinën e Akilit po ecën më mirë se sa ishte parashikuar në fillim. Kështu raporton media amerikane “The Athletic”.
Broja nuk ka mundur të luajë për Everonin për asnjë moment që kur u transferua nga Chelsea për një vit huazim më 30 gusht, pasi vuante nga problemi në tendinë që atëherë, shkruan A2 CNN. Si rrjedhojë ai nuk u grumbullua nga Sylvinho për ndeshjet e shtatorit dhe ato të këtij muaji që Shqipëria do të luajë në Nations League kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Por sipas medias amerikane, sulmuesi shqiptar po rikuperohet me ritme të shpejta pas fillimit të stërvitjes me Evertonin. Synimi i lojtarit dhe skuadrës është që të jetë i gatshëm për të luajtur në mes të nëntorit. Megjithatë, Evertoni nuk dëshiron të nxitohet me 23-vjeçarin dhe do ta mbajë në vëzhgim.
Kështu që ndeshja kundër West Ham-it më 9 nëntor mund të jetë shumë shpejt, ndërsa ajo kundër Brentford në shtëpi më 23 nëntor ka gjasa të jetë edhe ndeshja e debutimit. Sipas kësaj përllogaritjeje, Broja humbet të gjitha ndeshjet e Shqipërisë në Nations League. Më 16 nëntor, Shqipëria luan kundër Çekisë dhe më 19 nëntor kundër Ukrainës. Të dyja ndeshjet zhvillohen në “Arenën Kombëtare”.