Saranda gjatë sezonit veror u dominua nga turistët e huaj, që preferonin të akomodoheshin në apartamente me qira.
Ky fakt rriti edhe kërkesën për blerje në supermarkete dhe tregun e fruta perimeve.
Madje turistët e huaj u bënë të përditshëm në treg, duke bërë vetë pazar.
Tregtarët shpjegojnë arsyet pse të huajt priren drejt tregjeve dhe i largohen restoranteve.
“Në fillim sezoni u duk pak i plogësht i vakur, i ngadaltë, por nxemja në fund të korrikut, fillimi i gushtit. 10 ditshi i tretë i gushtit dhe shtatori ka arritur atë që quhet kulmi për ne,” –tha një shitëse.
“Shtatori është dominuar nga familjar të huaj, blejnë ushqimet , cilësinë e duan absolute, çmimi nuk pyetet , por dhe nuk abuzohet per këtë të jeni te qartë, nuk abuzohet me çmimin si me turistin shqiptar dhe të huaj, cilësia është absolute këtë bit edhe prodhimi ka qen i mirë,” –shtoi më tej ajo.
Kryesisht turistët nga Evropa Lindore janë blerësit më të shumtë të perimeve të freskëta, ndërsa si çdo vit, përpara se të largohen nga Saranda, marrin me vete bimët medicinale të zonës.
Çfarë blejnë me shumë të huajt?
“Çdo gjë që nga frutat, që nga perimet , vaji i ullirit, mjalti , që është shumë i mirë, dhe në fund përpara se të shkojnë ata janë të përqendruar te bimët medicinale, dhe është shumë shumë tipike për ata janë rigoni , çaji malit, njifet shumë prej tyre,” –tha shitësja.
Shumica e këtyre turistëve kanë blerë dhe shtëpi në Sarandë dhe sipas blersve ata do kthehen sërish për festat e fundvitit, çka bën që tregtarët të rrisin pritshmëritë e tyre. Turistët “low cost” në Sarandë sollën të ardhura për tregtarët e vegjël, por nga ana tjetër ndikuan edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, duke vënë në vështirësi vetë qytetarët e Sarandës.