Dy ditë pasi u mor në pyetje nga prokurorët në SPAK, socialisti Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Vendimi për t’i dhënë fund detyrës si ligjvënës është konfirmuar nga vetë Çyrbja.
Të martën Çyrbja u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00 të paradites dhe për 5 orët në vijim dha deklarime para organit të akuzës në lidhje me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka, gjatë kohës që deputeti mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrësit.
Ai doli nga Prokuroia e Posaçme në orën 15:00, por refuzoi të ndalej që të prononcohej për gazetarët. Ligjvënësi i PS për qarkun e Durrësit nuk ndau asnjë detaj mbi arsyen e pranisë në SPAK, përveç se ishte paraqitur si person në dijeni për një çështje.
Çyrbja u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime në lidhje me kallëzimin e bërë nga Paloka, 3 vite më parë kur deputeti demokrat ishte drejtuesi politik i qarkut të Durrësit.
Paloka dërgoi Çyrbjan në SPAK, duke e akuzuar për “shpërdorim detyre”. Ai e akuzoi Çyrbjan për mbivendosje prone, pasi brenda një dite ka firmosur dy praktika për të njëjtën pronëNë të njëjtën kohë, Paloka tha se disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Jurgis Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet i Partisë Socialiste. Ai për herë të parë iu bashkua Kuvendit të Shqipërisë si ligjvënës pas zgjedhjeve të vitit 2017.
Në vitin 2021 u votëbesua edhe për 4 vite si përfaqësues i tyre në Parlament dhe ishte kandidati i tretë më i votuar në qarkun e Durrësit me 6583 vota, pas kryeministrit Edi Rama dhe Lefter Kokës.
“Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone”, shprehej Paloka.