Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkoi sot fundin e armiqësive gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian, Hassan Rohani, në kuadër të rritjes së tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së, theksoi zëdhënësi i tij.
“Rohani deklaroi nga ana e tij për Johnson se sulmet raketore iraniane të së mërkurës në bazat e përdorura nga ushtria amerikane në Irak ishin një akt legjitim mbrojtës, konform Kartës së Kombeve të Bashkuara”, sipas presidencës iraniane.
Në bisedë, Johnson shprehu, sipas Londrës, angazhimin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për marrëveshjen bërthamore iraniane dhe dialogun e përhershëm për të shmangur përhapjen bërthamore dhe për të ulur tensionet.
“Duke limituar aktivitetet bërthamore iraniane, kjo marrëveshje e arritur në Vjenë në vitin 2015 dhe kërcënuar që prej tërheqjes së njëanshme të SHBA-së në vitin 2018, përbën dispozitat më të mira që ekzistojnë aktualisht për realizimin e objektivit tonë për të penguar Iranin të posedojë armë bërthamore”, shtoi zëdhënësi i Johnson.
Boris Johnson kishte deklaruar të dielën se nuk i vinte keq për vdekjen e Soleimanit.
“Gjatë bisedës së tyre, Rohani i kërkoi të rishikonte qëndrimin e tij kundrejt atij që përfaqësonte figurën historike për Republikën Islamike”, sipas presidencës iraniane./
Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimin për raportin e agjencisë prestigjoze ndërkombëtare Fitch për vitin 2019, sipas së cilës Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8, në 53.5.
“Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend,” shkruan kreu I shtetit në një postim në Facebook.
Ai më tej apelon urgjentisht për vendosjen e një dialogu politik.
“Duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut. Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë.”/ATSH/