Emiri i Katarit do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Britaninë e Madhe të organizuar nga mbreti Charles III, njoftoi sot Buckingham Palace.
Mbreti Charles dhe mbretëresha do të mirëpresin Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe të parën nga tre gratë e tij, Sheikha Jawaher bint Hamad bin Suhaim Al Thani, në Londër më 3 dhjetor.
Ata do të priten me një ceremoni tradicionale – me Paradën e Gardës së Kuajve dhe një banket madhështor shtetëror në Pallatin Buckingham gjatë vizitës dyditore shtetërore.
Charles e ka vizituar Katarin tetë herë si princi i Uellsit dhe është takuar me emirin në samitin e Cop28 në Dubai në dhjetor.
Udhëheqësi i Katarit dhe Sheikha Jawaher morën pjesë gjithashtu në kurorëzimin e mbretit në Westminster Abbey, dhe në funeralin e mbretëreshës së ndjerë.
Katari – një nga shtetet më të pasura të Gjirit – është një ndërmjetës kyç në luftën Izrael-Hamas dhe emiri në pushtet ka të ngjarë të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer për bisedime në rezidencën e Starmer në Downing Street gjatë qëndrimit të tij.
Familja mbretërore e Katarit është një nga më të pasurat në botë, me një pasuri të raportuar që arrin në miliarda.
Sheikh Tamim, 44 vjeç, u arsimua në Britani të Madhe, duke ndjekur shkollat publike Sherborne dhe Harrow, përpara se të diplomohej në akademinë ushtarake Sandhurst.
Ai themeloi Katar Sports Investments (QSI) në 2005, që zotëron ekipin francez të futbollit Paris Saint-Germain.