Skandal me kompaninë shqiptare të fluturimit “Air Albania”, që gjatë mbrëmjes së djeshme ka braktisur udhëtarët në Itali.
Avioni i linjës Milano-Tiranë pasi i ka mbajtur për më shumë se 2 orë pasagjerët në bord, i ka zbritur sërish në aeroportin e Malpensës, pasi fluturimi ishte anuluar. Pas rreth 9 orë pritje në aeroport, pasagjerët shqiptarë e kanë parë veten në mëshirë të fatit.
Fluturimi ishte parashikuar për në orën 16.50, por pa asnjë shpjegim është shtyrë për në orën 20:30.
Edhe pse pasagjerët janë imbarkuar në bordin e avionit, ata janë lënë të presin edhe 2 orë të tjera në avion, ndërsa askush nuk i ka sqaruar apo dhënë shpjegime mbi arsyet e vonesës.
Pasi kanë qëndruar më shumë se 120 minuta të bllokuar në bordin avionit, ata janë detyruar të zbresin, siç thonë pasagjerët, edhe forcërisht me ndërhyrjen e policisë italiane.
Pasagjerët kanë shprehur shqetësimin se si “Air Albania” i kishte lënë në aeroportin e Milanos dhe kompania nuk denjonte as t’u përgjigjej.
Ata denoncojnë kompaninë për arrogancë dhe shpërfillje. Asnjë shpjegim nuk u është dhënë pasagjerëve për motivet e anulimit të fluturimit por po ashtu Air Albania nuk mban përgjegjësi as se ku do të kalojnë natën qytetarët.
Një nga pasagjerët, Sefedin Matraçi i cili mbrëmjen e djeshme do të udhëtonte me “Air Albania” në drejtim të Tiranës, nga aeroporti i Milanos, ka rrëfyer se si kompania ajrore shqiptare i braktisi ata në Malpensa.
Ai ka treguar se udhëtimi do të bëhej me avionin e Air Albania, por në fakt në pistë kanë gjetur një mjet ajror të Turkish Airlines i cili megjithatë nuk u ngrit kurrë të fluturonte nga pista e Malpensës.