Katërshja e prapavijës e hedhur në fushë nga Silvinjo në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, ia doli që më në fund të thyente një seri ndeshjesh radhazi ku kuqezinjtë pësonin gol.
Shqipëria kishte pësuar gol në secilën nga 7 ndeshjet e fundit që kishte luajtur dhe ky ishte kthyer në një problem të madh për ekipin i cili falë pathyeshmërisë në prapavijë ia doli që të siguronte një biletë në Euro 2024.
Në fakt, rreshtimi me Balliun, Ismajlin, Ajetin dhe Mitajn mund të duket pak i pazakontë, duke llogaritur se janë jashtë emra si Gjimshiti, Hysaj e Kumbulla.
Por si për ironi të fatit, herën e fundit kur Shqipëria nuk pësonte gol, ishte pikërisht me këtë katërshe në fushën e lojës.
Ajo ishte miqësorja e luajtur më 3 qershor përballë Lihtenshtejnit, kur kuqezinjtë fitonin 3-0 si pjesë e përgatitjeve të tyre për Euro 2024. Edhe në atë ndeshje, Silvinjo rreshtoi Balliun e Mitajn nga krahët me dyshen Ismajli-Ajeti në qendër.
Që asokohe, protagonistët e prapavijës kishin ndryshuar vazhdimisht, gjithmonë duke pësuar të paktën një gol në ndeshjet e luajtura, derisa Silvinjo përsëriti këtë rreshtim.