Pritja njëvjeçare e Shqipërisë për të hapur grup-kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian mori fund këtë të martë në Luksemburg, ku vendi ynë u ul në tryezën e dytë ndërqeveritare. Të drejtat themelore, drejtësia, prokurimet publike, statistikat dhe kontrolli financiar janë kushtet e para që do të vënë Tiranën zyrtare përballë institucioneve të Unionit në rrugën për t’u bërë anëtare me të drejta të plota, shkruan A2 CNN. Funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike janë gjithashtu pjesë e paketës.
Hungaria, që mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, kritikoi burokracinë e Unionit për vonesat në procesin e zgjerimit. Ndërsa për Kryeministrin shqiptar, BE-ja ktheu sytë nga Ballkani Perëndimor falë frikës së Rusisë. “Duke marrë parasysh faktin se koha mesatare e pritjes së vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor ka tejkaluar tashmë 15 vjet. Kjo është thjesht e papërshtatshme. Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani”, tha Péter Szijjártó, Ministër i Jashtëm i Hungarisë.
“Është me të drejtë një ditë historike. Çelja e grup-kapitujve themelor sot me 5 kapitujt kryesorë plus tri kriteret, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në, shënjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian. Për fat të keq, kjo ndodhi me ndihmën e Vladimir Putin-it, pasi agresioni i tij në Ukrainë i dha procesit një shtysë të re, që shërbeu si një zile zgjimi për Europën, duke i kujtuar se iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është thjesht një iluzion”, tha Rama.
Mbrojtja publike që Edi Rama i bëri pak ditë më parë nga Budapesti Kryeministrit Viktor Orban u shpërblye nga një tjetër hungarez në konferencën për shtyp, Eurokomisioneri në largim për zgjerimin, Oliver Várhelyi, i cili parashikoi një jetë të gjatë në pushtet për Kryeministrin shqiptar.
“Në fund të mandatit të Komisionit të ardhshëm, ne mund të shohim Kryeministrin Rama që të emërojë Komisionerin e parë ose të japë propozimin e vet për Komisionerin e parë në Komision. Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj që kjo të vazhdojë, sepse nëse kjo vazhdon, nënkupton që me të gjitha instrumentet që kemi në dorë, Shqipëria mund të përgatitet për t’u bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm”, tha Varhelyi.
Përpara mediave të huaja, Edi Rama luajti edhe rolin e viktimës ndaj sjelljes së BE-së për rajonin tonë, pavarësisht se Eurokomisioneri Várhelyi dha një lajm të mirë që brenda ditësh do të hapet edhe thesi i fondit prej 6 miliardë euro.
“Tri herë ne u poshtëruam, por ajo çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Kështu që ne kemi dalë më të fortë nga kjo dhe ja ku jemi sot këtu”, tha Rama. “Parashikojmë që pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Ky është plani”, tha Varhelyi.
Ministri i Jashtëm hungarez uroi që brenda këtij viti Shqipëria të ulet në konferencën e tretë ndërqeveritare, ndërsa u shpreh kundër heqjes së vetos në vendimmarrjet e Bashkimit Europian, si garanci që vendet e vogla do të respektohen njësoj si të mëdhatë.