Kreu i Partisë Ilir Meta së bashku me 3 të pandehurit e tjerë do të dalin sot përpara Gjykatës së Posaçme për konfirmimin e masës së sigurisë.
Meta pritet të dalë në gjykatë për konfirmimin e masës së sigurisë, “arrest me burg”. Seanca për verifikimin e kushteve do të nisë në orën 9:30 dhe pas vendimit Meta pritet të dërgohet në qelitë e paraburgimit.
Në dosjen hetimore të SPAK prej 176 faqesh që çoi në pranga ish-Presidentin Meta dhe vuri në akuzë 3 të tjerë, Prokuroria e Posaçme shprehet se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste. Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA, SPAK thotë se ka administruar prova se Meta në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës ka përfituar para në formën e korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të kompanisë DIA.
Ky dyshim, provohet sipas prokurorisë edhe përmes disa përgjimeve të realizuara vite më parë, mes të cilave 1 në vitin 2009. SPAK, shprehet se Meta përmes një sms-je i kërkon biznesmenit, Ismailaj para. Marrëdhënia e ngushtë mes tyre sipas organit të akuzës provohet dhe nga udhëtimi i tyre drejt Çekisë, atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.
Një tjetër çështje në dosjen hetimore, është dhe ajo e shpenzimeve mjekësore të ish-çiftit, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në vlerën e rreth 106 mijë eurove, para këto që nuk janë deklaruar prej tyre. Këto shpenzime janë zbuluar nga SPAK dhe janë pasqyruar në dosjen voluminoze. Gjithashtu, shpenzime të tjera të reflektuara në materialin hetimor, është dhe pagesa prej 400 mijë dollarësh e kryer nga LSI për lobim në SHBA, por që nuk është bërë përmes llogarive të LSI-së.
Mes episodeve që SPAK pretendon se ish-Presidenti ka konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave është ndërhyrja në kohën kur ishte Kryetar Kuvendi për futjen në tregun e fibrave optike të një kompanie private si dhe blerja e një duplexi në zonën e ish-Bllokut. Këto akuza të ngritura nga SPAK, vetë ish-Presidenti, Ilir Meta i ka hedhur poshtë dhe i ka cilësuar politike..
Meta u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i Jashtëm në vitin 2002, nën logon e Partisë Socialiste. Ai ishte President i Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës 2017 – 2022, ndërsa aktualisht mban postin e kryetarit të Partisë së Lirisë.