Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Britania e Madhe nuk kundërshton hapjen e Urës së Ibrit, por theksoi se kjo duhet të ndodhë në momentin dhe kushtet e duhura.
Ai shtoi se janë të nevojshme planifikime teknike për të siguruar funksionimin e sigurt të urës dhe se është e rëndësishme të mendohet për sfidat mjedisore që Kosova po përballet, veçanërisht në lidhje me përdorimin e makinave.
“Koha e duhur për hapjen e urës është kur është e sigurt për ta bërë këtë, kur të kemi pasur konsultime të plota me të gjitha komunitetet në të dyja anët e lumit, dhe kur të jetë e qartë që hapja mund të realizohet në mënyrë të sigurt dhe me pranim të gjerë nga të gjithë”, u shpreh ambasadori në Rubikon.
Hargreaves gjithashtu përmendi se vendimi i kryeministrit për të mos hapur urën gjatë verës ka qenë i mençur, pasi hapja në atë periudhë do të kishte sjellë rreziqe të mëdha të sigurisë.
“Personalisht mendoj se vendimi për të mos e hapur urën gjatë verës ka qenë një hap pozitiv, për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm,” përfundoi ambasadori.