“El Clasico” shkon në Barcelonë. Ky është verdikti i ndeshjes më të bukur të kontinentit me katalanasit që arritën të rrëmbenin një fitore të shkëlqyer në Madrid.
Djemtë e Flick, tashmë të rilindur në këtë sezon arritën të fitojnë me rezultatin 4-0 në transfertën me rivalin e përjetshëm të Real Madrid.
Vendasit e nisën vrullshëm pjesën e parë me raste të krijuara njëri pas tjetrit, por nuk mundën të gjenin kuadratin. Vinicius, kandidati kryesor për topin e artë në këtë sezon nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe humbi disa raste të pastra shënimi.
Teksa francezi Mbappe gëzoi për disa sekonda në 45 minutat e para, por festa e tij u shua shpejt pasi VAR-i tregoi pozicionin e tij të vërtetë.
Me fillimin e pjesës së dytë vjen dhe përgjigjja e Barcelonës. Topat e gjatë dhe vertikalizimet duket se janë zbulimi në këtë vit me ardhjen e trajnerit gjerman dhe me një të tillë erdhi dhe goli i parë me anë të Lewandowski.
Pa e marrë veten nga goditja e parë në minutën e 54, 120 sekonda më vonë, po në të njëjtën mënyrë me një top në thellësi, polaku tregon edhe njëherë saktësinë në portën e Lunin.
Mbappe gjen sërish rrjetën, por pozicioni jashtë lojë këtë herë është më evident.
Në minutën e 78 vjen dhe goli për Yamal, teksa 7 minuta më vonë firmos në portën e Madridit dhe Raphina me një parabolë, që vulosi fatet e takimit dhe zgjeroi diferencën mes dy ekipeve në renditjen e La Liga.