48 orë pas skadimit të ultimatumit 48 orësh, presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar një letër të re, këtë herë më të gjatë, kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Aty i kërkohet që sa më shpejt të dërgojë në Presidencë një emër si mandatar për formimin e Qeverisë, raporton KTV.
Në letër citohet edhe një pikë e aktgjykimit të Kushtetueses, duke aluduar se kur partia fituese nuk dërgon emrin e mandatarit, mund të konsiderohet si refuzim.
“Duhet pasur parasysh edhe pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vëren ‘se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin’. Në cilindo rast, të pranimit ose refuzimit të propozimit të kandidatit/es për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejt, sipas premtimit tuaj nga takimi ynë, në mënyrë që unë të ndërmarr hapat e përcaktuar me Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit.
Njohësit e zhvillimeve politike nuk i shohin si presion letrat Thaçit drejtuar kreut të “Vetëvendosje”, duke thënë se ky i fundit e ka obligim ta mbrojë Kushtetutën e vendit.
Sipas Florent Spahisë nga KDI-ja, “Vetëvendosje” duhet sa më shpejt ta dërgojë emrin në mënyrë që presidenti të procedojë tutje.
Gjatë së premtes, Vetëvendosja nuk i është përgjigjur letrës më të re të Thaçit.
Albin Kurti e Isa Mustafa janë takuar tri herë brenda kësaj jave, por kanë dështuar ta arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje, arsye për të cilën Vetëvendosje nuk po e dërgon emrin e mandatarit në Presidencë.