Ndërtimi i segmentit rrugor nga Kashari në Vaqarr do të jetë investimi më i madh publik, që hapet rishtaz. Projekti i përfshirë në buxhetin e vitit 2025 do të ketë një kosto totale prej 7.3 miliardë lekësh ose 73 milionë eurosh dhe pritet që të tenderohet brenda këtij viti.
Sipas listës së investimeve, pjesë e projektbuxhetit të vitit 2025, për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 14.6 milionë euro për këtë investim. Në vitin 2026 do të paguhen 22 milionë euro dhe në 2027-ën edhe 22 milionë euro të tjera. Ndërkohë që pjesa e mbetur shlyhet në vitin 2028.
Segmenti nga Kashari në Nyjën e Vaqarrit është pjesë e Bypassit të Tiranës. Ai kalon në gjurmën Kashar-Vaqarr dhe përfundon në Mullet.
Po kështu ky projekt ndërlidhet me të ashtuquajturën Autostradën e Kaltër duke lidhur dy projekte të mëdha koncesionare. Autostradën Thumanë Kashar të ndërtuar nga kompania Gener 2 dhe segmentin tjetër që përfundon në Lekaj, i cili do të ndërtohet nga bashkimi i kompanive Gjoka Konstruksion” sh.a, “Junik” sh.p.k., “Cobial” sh.p.k, “Pepa Group” sh.p.k, “UDHA” sh.p.k., “Geoportal” sh.p.k. dhe “A&E Engineering” sh.p.k.
Ky segment ka një gjatësi prej rreth 7 kilometrash dhe do të kushtojë 73 milionë euro. /Kapital.al