Connect with us

Bota

Kabineti i ri Trump, emrat të cilët po shqyrtohen

Published

on

Nga Rob Graver-VOA

Pas fitores në zgjedhje një tjetër garë nisi menjëherë për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, sprinti 11-javor për të zgjedhur administratën e re, që do të duhet të jetë gati për të marrë drejtimin e vendit më 20 janar të vitit 2025.

Administrata e një presidenti përfshin me mijëra të emëruar, por në javët e para, pas zgjedhjeve, vëmendja është përqendruar tek përbërja e kabinetit të tij.

Tradicionalisht në të përfshihet nënpresidenti dhe drejtuesit e 15 departamenteve të degës ekzekutive, si ai i Shtetit, i Drejtësisë, apo Departamenti i Thesarit.

Veç anëtarëve të kabinetit, janë edhe rreth 10 zyrtarë të tjerë, që shërbejnë në pozita që konsiderohen në nivelin e një anëtari kabineti, siç është përfaqësuesi amerikan për tregtinë, drejtori i zbulimit kombëtar dhe shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë.

Përveç nënpresidentit dhe shefit të kabinetit, të gjithë të emëruarit në nivel kabineti, duhet të konfirmohen nga Senati.

Të enjten në mbrëmje, zoti Trump njoftoi se Susie Wiles, një prej dy menaxhereve kryesorë të fushatës së tij të suksesshme elektorale, do të jetë shefja e kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ajo bëhet kështu gruaja e parë që shërben në këtë pozitë.

Ndërkohë Trump ka ofruar pak informacion mbi emrat që do të përbëjnë kabinetin e tij të ri.

Shumë prej atyre që shërbyen në administratën e tij të parë, që nga ajo kohë, i kanë shkëputur marrëdhëniet me presidentin e zgjedhur. Disa prej tyre madje, shkuan aq larg, sa të mbështesin kundërshtaren e tij, nënpresidenten Kamala Harris. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i ish zyrtarëve të zotit Trump kanë mbajtur marrëdhënie të mira me të dhe mund të rishfaqen në role të rëndësishme në administratën e ardhshme.

Mes atyre që ai mund të vendosë në poste kyçe janë anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit, si dhe figura të njohura nga bota e biznesit që mbështetën fushatën e tij, si themeluesi i SpaceX, Elon Musk.

Ekipi i tranzicionit

Kandidatët presidencialë zakonisht krijojnë ekipe tranzicioni shumë përpara përfundimit të zgjedhjeve për të lëviyur me shpejtësi me procesin që pason.

Jo-Anne Sears, eksperte pranë Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, ka shërbyer në ekipet e tranzicionit për ish-Presidentin George W. Bush dhe kandidatin republikan për president të vitit 2012, Mitt Romney.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se ka qenë në kontakt me anëtarët e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe pret që përzgjedhja të bëhet mes një numri të madh emrash nën shqyrtim.

“Nga ajo që po dëgjoj nga zyrtarë që po merren me çështjet e tranzicionit është se ata duan që realisht të sjellin më të mirët dhe më të ndriturit në Uashington”, tha zonja Sears. “Kjo do të thotë se ata do të vijnë nga pjesë të ndryshme të vendit dhe nuk do të jetë vetëm nga Nju Jorku apo Uashingtoni”.

“Mendoj se ai do të përpiqet të sjellë njerëz që janë ekspertë të vërtetë në fushat e tyre, qoftë sa i takon sigurisë kombëtare, në çështje që lidhen me teknologjinë, apo efikasitetin e qeverisjes, që mendoj se do të jetë një nga qëllimet e tij”, tha zonja Sears.

Ish të emëruarit e kabinetit Trump

Disa nga zgjedhjet që bien në sy për poste të larta në administratën e dytë të zotit Trump janë individë që mbanin poste të larta në administratën e parë, për të cilat nevojitej konfirmim nga Senati.

Robert Lighthizer shërbeu si përfaqësues për tregtinë për pjesën më të madhe të mandatit të parë të zotit Trump. Ai mund të rishfaqet në administratën e re në një rol më të lartë, siç është ai i Sekretarit të Thesarit.

Mike Pompeo, i cili shërbeu si drejtor i CIA-s dhe Sekretar Shteti në periudha të veçanta në administratën e parë të zotit Trump, mund të rikthehet në një nga këto poste, ose në atë të Sekretarit të Mbrojtjes.

John Ratcliffe, shërbeu si drejtor i Zbulimit Kombëtar të zotit Trump gjatë vitit të fundit të mandatit të tij të parë. Ai mund të emërohet në një post të lartë që lidhet me zbulimin, apo në atë të Prokurorit të Përgjithshëm, (siç njihet posti i Ministrit të Drejtësisë në SHBA).

Linda McMahon, ish-shefja ekzekutive e “World Wrestling Entertainment”, një kompani e mundësve profesionistë, shërbeu si drejtuese e Administratës së Biznesit të Vogël në mandatin e parë të zotit Trump. Ajo është aktualisht një nga drejtueset e ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe emri i saj po përflitet për postin e Sekretares së Tregtisë.

Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i zotit Trump në Gjermani dhe më pas për një kohë të shkurtër në vitin 2020, si drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, besohet se të jetë në garë për postin e Sekretarit të Shtetit. Megjithatë, zoti Grenell një figurë jashtëzakonisht luftarake, mund të hasë në vështirësi në procesin e konfirmimit në Senat. Ai mund të jetë gjithashtu kandidat, për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, një pozicion jo në nivel kabineti për të cilin nuk kërkohet konfirmim në Senat.

Robert O’Brien, ish-këshilltari i zotit Trump për Sigurinë Kombëtare, i cili gjithashtu ka shërbyer si i dërguar për çështjet e pengjeve, mund të marrë gjithashtu një detyrë të lartë në administratën e re, ndoshta atë të sekretarit të Shtetit.

Stephen Miller, i cili ka qënë këshilltar i lartë i zotit Trump gjatë administratës së tij të parë, mund të rikthehet gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, edhe zoti Miller mund të përballet me vështirësi konfirmimi në Senat.

Anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Kongresit

Kongresmenë dhe dhe ish të tillë, po shqyrtohen gjithashtu si emra të mundshëm për administratën e re, përfshirë senatorin e shtetit Utah, Mike Lee.

Një avokat dhe mbështetës i flaktë i zotit Trump, që ndihmoi në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, zoti Lee besohet të jetë një kandidat kryesor për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Senatori Bill Hagerty i shtetit Tenesi, besohet të jetë në shqyrtim për poste të ndryshme të larta. Ai shërbeu si ambasador i zotit Trump në Japoni përpara se të zgjidhej në Senat. Emri i tij është përmendur për pozicione të lidhura me tregtinë dhe diplomacinë.

Senatori i Floridës, Marco Rubio, shndërruar nga një kritik i ashpër në një mbështetës të flaktë të zotit Trump, emri i të cilit u lakua si një kandidat për nënpresident vitin e kaluar, po shqyrtohet tashmë për pozitën e Sekretarit të Shtetit.

Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut është një nga mbështetësit më të njohur të zotit Trump në komunitetin afrikano-amerikan. Ai po shqyrtohet mes emrash të tjerë për postin e sekretarit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Senatori Tom Cotton nga shteti Arkansa, një veteran i ushtrisë dhe një mbështetës fortë i mbrojtjes kombëtare, është në shqyrtim për postin e sekretarit të Mbrojtjes.

Një tjetër emër që po shqyrtohet për detyrën e lartë në Pentagon është Mike Waltz, ish pjestar i forcave speciale të ushtrisë dhe kolonel i Gardës Kombëtare, që ka shërbyer në Kongres duke përfaqësuar shtetin e Floridës.

Zoti Waltz ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në mbrotje të zotit Trump në media.

Ligjvënësi Mark Green nga shteti Tenesi, i cili kryeson Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, shihet si një zgjedhje e mundshme për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Ligjvënësja e Nju Jorkut, Elise Stefanik është përmendur si ambasadore e mundshme në Kombet e Bashkuara.

Udhëheqësit e biznesit

Elon Musk luajti një rol të madh në financimin e fushatës së zotit Trump dhe ka sinjalizuar se është i hapur për të shërbyer në një lloj komisioni që synon ta bëjë qeverinë federale më efikase, por përfshirja e tij në një pozicion zyrtar në kabinet duket e pamundur.

Zoti Musk shërben aktualisht si drejtor ekzekutiv i disa kompanive që kanë kontrata me vlerë miliarda dollarësh me qeverinë federale, përfshirë kompaninë e raketave SpaceX.

Kjo krijon një mundësi të mëdha për konflikt të mundshëm interesi, që do ta vështirësonin konfirmimin e tij në Senat.

John Paulson, një miliarder, që drejton kompani që menaxhojnë fonde investimesh, e që e ka mbështetur zotin Trump që nga fushata e parë e tij për presidentit në vitin 2016, thuhet se po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit.

Në shqyrtim për këtë post është edhe Scott Bessent, një menaxher i kompanive të fondeve të investimeve dhe këshilltar i fushatës së zotit Trump.

Një nga drejtuesit e ekipit të tranzicionit të zotit Trump, Howard Lutnick, drejtor ekzekutiv i firmës së shërbimeve financiare “Cantor Fitzgerald”, është një kandidat i mundshëm për postin që lidhet me politikat ekonomike.

Prej kohësh ka zëra se Jamie Dimon, drejtor ekzekutiv i bankës “JPMorgan Chase”, po shqyrtohet për postin e Sekretarit të Thesarit. Megjithatë njoftimet e fundit kanë sugjeruar se ai nuk është i interesuar për një gjë të tillë.

Faktori RFK Jr.

Robert F. Kennedy Jr., nipi i ish-presidentit John F. Kennedy dhe djali i ish-prokurorit të përgjithshëm, Robert Kennedy, e nisi fushatën si kandidat i pavarur për president, po më pas u tërhoq dhe i dha mbështetjen zotit Trump.

Në këmbim, zoti Trump i ka ofruar atij një rol në formësimin e politikave të shëndetit publik.

Gjatë një telefonatë me mbështetësit e tij në fund të fushatës, zoti Kennedy tha se zoti Trump i kishte “premtuar” kontrollin e Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore – që përfshin Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve, Administratën e Ushqimit dhe Barnave dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, ose si Sekretar i Departamentit të Bujqësisë.

Megjithatë ekzistojnë pikëpyetje nëse zoti Kennedy mund t’i mbijetojë konfirmimit në Senat për një pozicion në nivel kabineti. Dikur një aktivist i çështjeve të mjedisit, në dekadat e fundit ai është shndërruar në një skeptik të njohur të vaksinave dhe mbron teorive konspirative, ndaj dhe ligjvënësit mund të ngurrojnë ta vendosin atë në krye të një agjencie që lidhet me shëndetin publik.

Po kështu në listën e gjatë të emrave nën shqyrtim për administratën e re Trump mund të jenë edhe ish-kundërshtarët kryesorë të tij në zgjedhjet paraprake, të kthyer tani në mbështetës, Doug Burgum, ish-guvernatori i Dakotës së Veriut dhe biznesmeni Vivek Ramaswamy.

Continue Reading
Advertisement

Bota

Përleshjet në Jemen i sjellin në konfrontim forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

By

E ardhmja e Jemenit varet në fije të perit pas një kthese dramatike të ngjarjeve në jug, të cilat i kanë futur Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në një konfrontim të drejtpërdrejtë të paparë dhe e kërcënojnë vendin me ndarje.

Të dy fuqitë e Gjirit kanë ndërhyrë në emër të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit në luftën civile të gjatë të vendit, por një përçarje e aleancës i ka parë ato të mbështesin grupe të ndryshme rivale në terren, njëri prej të cilëve tani po shtyn për të shpallur pavarësinë e një shteti të shkëputur në Jemenin jugor.

Të premten, forca e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe deklaroi se kishte filluar një “luftë”, duke akuzuar forcat tokësore të mbështetura nga Arabia Saudite për nisjen e një sulmi së bashku me sulmet ajrore nga forcat ajrore saudite.

Lufta civile në Jemen shpërtheu në vitin 2014 dhe e ka zhytur vendin tashmë të varfër në vite dhune vdekjeprurëse dhe në një nga krizat më të këqija të urisë në botë.

Në fillim të luftës, lëvizja rebele Huthi e mbështetur nga Irani mori kontrollin e pjesës më të madhe të Jemenit verior, përfshirë kryeqytetin Sanaa, nga qeveria. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur një koalicion shtetesh arabe, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, nisi një fushatë ushtarake për të rivendosur sundimin e qeverisë.

Një armëpushim ka ulur tensionet në konfliktin me Huthitët në vitet e fundit dhe ka çuar në ngrirjen e vijave të frontit.

Por koalicioni qeverisës i mbështetur nga Arabia Saudite – Këshilli i Lidershipit Presidencial (PLC), i formuar në vitin 2022 dhe i projektuar për të bashkuar fraksione të ndryshme anti-Houthi – është dobësuar.

Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e Jemenit jugor është marrë nga separatistët e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Këshilli Kalimtar Jugor (STC), i cili është zyrtarisht pjesë e koalicionit.

Forcat e Këshillit Tranzicional Jugor separatist të Jemenit mbërrijnë në një zonë malore në fillim të një ofensive në provincën jugore të Abyanit, Jemen (15 dhjetor 2025)
Arabia Saudite paralajmëroi Emiratet e Bashkuara Arabe se ofensivat në Jemenin lindor përbënin kërcënime për sigurinë e saj

Luftimet e brendshme u përshkallëzuan më 2 dhjetor, kur STC – e cila kërkon një shtet të pavarur në jug – nisi një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në lindje të vendit dhe mori me shpejtësi kontrollin e territorit nga forcat qeveritare. Përparimet e STC-së përfshinin provincën e pasur me naftë Hadramawt që kufizohet me Arabinë Saudite.

STC tha se ofensiva ishte e nevojshme për të “rivendosur stabilitetin” në jug. Por ajo u denoncua si një “rebelim” nga kreu i PLC-së, Rashad al-Alimi, i cili tha se shtytja separatiste e STC-së kërcënonte të copëtonte Jemenin dhe ta zhytte rajonin në kaos.

Tensionet janë përshkallëzuar më tej me sulmet ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite. Të premten, shtatë persona u vranë në një sulm ajror në një kamp ushtarak të STC-së në Hadramawt, tha një zyrtar i STC-së.

Kjo pasoi sulmet ajrore të martën në portin jugor të Mukallas, ku koalicioni akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe se u kishte dorëzuar separatistëve dy anije të ngarkuara me pajisje ushtarake gjatë fundjavës. Nuk u raportuan viktima, por imazhet e automjeteve të djegura të shpërndara në mediat sociale pas sulmeve sugjeruan se sulmet kishin në shënjestër drejtpërdrejt pajisjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Automjete dhe kamionçina ushtarake të djegura pas një sulmi ajror të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Mukalla, Jemenin jugor (30 dhjetor 2025)
Sulmi ajror i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Mukalla shkatërroi një numër automjetesh ushtarake dhe kamionçinash.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe i mohoi akuzat, duke thënë se dërgesa nuk përmbante armë dhe se automjetet do të përdoreshin nga forcat e Emirateve në vend.

Pas sulmeve të së martës, kreu i Këshillit Presidencial të Jemenit tha se kishte anuluar një traktat të përbashkët mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe urdhëroi të gjitha forcat e saj të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Ministria e Jashtme saudite mbështeti thirrjen që forcat e Emirateve të largohen, duke akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe se po bëjnë presion ndaj STC-së për të nisur ofensivën në lindje, e cila ka arritur në kufijtë e Arabisë Saudite. Ministria paralajmëroi se siguria kombëtare e Arabisë Saudite ishte një “vijë e kuqe”.

Emiratet e Bashkuara Arabe mohuan se qëndronin pas fushatës së fundit ushtarake të STC-së, por, në një veprim që ishte i papritur për shumë njerëz, disa orë më vonë ajo pranoi kërkesën dhe pranoi të tërhiqte forcat e saj nga Jemeni.

Motivimet e Emirateve të Bashkuara Arabe në mbështetjen e STC-së në Jemen shihen si ndihmë për të siguruar akses në portet kryesore detare dhe sfidim të një partie islamike që është në qeveri.

Por edhe nëse Emiratet e Bashkuara Arabe heqin plotësisht praninë e tyre fizike në Jemen, kjo “nuk do të ndryshojë asgjë” dhe nuk nënkupton një tërheqje të forcave të STC-së që mbështet, thotë Farea al-Muslimi, një studiuese në Chatham House.

“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë pasur një prani të konsiderueshme trupash në Jemen që nga viti 2019. Ato janë mbështetur te forcat speciale dhe kryesisht te rrjeti i tyre i përfaqësuesve që punojnë drejtpërdrejt në terren”, thotë zoti Muslimi.

Një grua e zhvendosur nga Jemeni përgatit ushqim për familjen e saj në një kamp të improvizuar në Sanaa, Jemen (24 dhjetor 2025)
Më shumë se 19 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në Jemen

Në zonat e sapokontestuara si Hadramawt, perspektiva e një përshkallëzimi më të gjerë luftimesh po alarmon familjet.

“Disa njerëz po mendojnë të shkojnë në fshatra ose të qëndrojnë me të afërmit nëse gjërat përkeqësohen. Por shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të largohen nga qyteti”, thotë Mohamedi nga Mukalla.

“Shumica e njerëzve po dalin më pak [dhe] kanë ruajtur disa mallra si miell dhe oriz. Të gjithë po i ndjekin lajmet nga afër, moment pas momenti.”

Vite të tëra konflikti shkatërrues kanë shkatërruar ekonominë e Jemenit. Rreth 40 milionë banorë të vendit kanë duruar atë që agjencitë e ndihmës e quajnë krizën e tretë më të keqe të urisë në botë – një krizë që ka kërcënuar vazhdimisht të arrijë nivelet e urisë. Në vitin 2021, OKB-ja vlerësoi se 377,000 njerëz kishin vdekur si pasojë e konfliktit dhe ndikimit të tij në urinë dhe kujdesin shëndetësor, nga të cilët 259,000 thuhej se ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Ndërsa konflikti aktual po paraqitet nga jashtë si një luftë e re me ndërmjetës midis dy fuqive të Gjirit, vëzhguesit e afërt të politikës jemenase i kanë parë përshkallëzimet e fundit nga STC si të pritura prej kohësh.

Ambiciet e STC-së janë rritur pas zgjerimit të fundit të kontrollit mbi pothuajse të gjithë jugun e vendit, tha për BBC Arabic gazetari i çështjeve jemenase Anwar al-Ansi.

“[Shefi i STC-së, Aidarous] Al-Zubaidi ka qenë personi më konsistent brenda Jemenit, duke kërkuar vazhdimisht pavarësinë për Jemenin jugor. Pra, jo, nuk mendoj se ai do të dorëzohet”, thotë zoti Muslimi.

Një flamur i Këshillit Kalimtar Jugor (STC) separatist i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe valëvitet mbi një kamionçinë ushtarake në një tubim nga mbështetësit e STC në Aden, Jemen (1 janar 2026)
Këshilli Kalimtar Jugor dëshiron një shtet të pavarur në Jemenin Jugor

Duke folur për BBC-në, Anwar al-Tamimi, një zëdhënës i STC-së, konfirmoi aspiratat e tyre.

“Qëllimet tona kanë qenë gjithmonë të qarta prej vitesh dhe kjo është të krijojmë një shtet të pavarur, nuk jemi përpjekur të mashtrojmë askënd”, tha ai.

“Është e drejta e njerëzve të jugut të zgjedhin fatin e tyre, për fat të keq shumë në rajon janë përpjekur të na pengojnë.”

Ai mohoi se pavarësia do të përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite.

“Ne do të kemi stabilitet dhe nuk do të jemi një burim terrorizmi që i kërcënon ata”, tha ai.

Nëse këto siguri do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar forcat e mbështetura nga Arabia Saudite që përpiqen të rimarrin kontrollin e tyre në Jemenin jugor, është e paqartë.

“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite nuk mund dhe nuk do të jenë në gjendje të bien dakord në Jemen. Ato kanë një logjikë shumë të ndryshme në terren”, thotë zoti Muslimi. “Saudia ka 1,500 km kufi me Jemenin, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë asnjë.

“Imagjinoni sikur Mbretëria e Bashkuar dhe Franca të hyjnë drejtpërdrejt në një luftë me njëra-tjetrën – kjo është e njëjta gjë që mendoj unë për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Ato janë vende të pasura dhe të fuqishme me shumë armë dhe kjo është shumë keq për të gjithë rajonin.”

Continue Reading

Bota

Trump paralajmëron se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Irani vret protestuesit

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka paralajmëruar autoritetet e Iranit kundër vrasjes së protestuesve paqësorë, duke thënë se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë”.

Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ai shkroi: “Jemi të armatosur, të pajisur me armë dhe gati për të filluar.” Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u përgjigj duke thënë se Trump duhet të jetë “i kujdesshëm” nëse ai ndërhyn, duke paralajmëruar për kaos të mundshëm në të gjithë Lindjen e Mesme.

Të paktën tetë persona raportohet se janë vrarë në Iran pas pothuajse një jave protestash masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike.

Në postimin e së premtes në Truth Social, Trump shkroi: “Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë.”

Në postimin e tij, presidenti amerikan nuk specifikoi se çfarë masash mund të ndërmarrë Uashingtoni kundër autoriteteve iraniane.

Në qershor, SHBA-të kryen sulme kundër centraleve bërthamore të Iranit me urdhër të Trump.

Zyrtarët amerikanë më vonë argumentuan se sulmet kishin penguar ndjeshëm perspektivën e Teheranit për të ndërtuar një armë bërthamore – një pretendim i kundërshtuar nga Irani.

Në shenjë hakmarrjeje, Irani nisi një sulm me raketa ndaj një baze të madhe ushtarake amerikane në Katar.

Menjëherë pas postimit të fundit të Trump në rrjetet sociale, këshilltari i Khameneit, Ali Larijani, lëshoi ​​një paralajmërim të vetën.

“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja e SHBA-së në këtë çështje të brendshme do të thoshte destabilizim i të gjithë rajonit dhe shkatërrim i interesave të Amerikës”, shkroi ai.

Pamjet e paraqitura nga Reuters tregojnë protesta në provincën Lorestan të Iranit jashtë një stacioni policie.

Në Iran, gjashtë persona u raportuan të jenë vrarë në ditën e pestë të protestave të enjten.

Dy persona humbën jetën në përleshjet midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin jugperëndimor të Lordegan, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars dhe grupit të të drejtave të njeriut Hengaw.

Tre persona u vranë në Azna dhe një tjetër në Kouhdasht, të gjithë në perëndim të vendit, raporton Fars.

Fars nuk specifikoi nëse të vrarët ishin demonstrues apo anëtarë të forcave të sigurisë.

Hengaw tha se dy të vrarët në Lordegan ishin protestues, duke i përmendur ata si Ahmad Jalil dhe Sajjad Valamanesh.

Një vdekje u raportua në Fuladshahr, Irakun qendror, dhe një viktimë tjetër në Marvdasht, në jug.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur vdekjet.

Pamjet e postuara në mediat sociale treguan makina të djegura gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë.

BBC Persian ka verifikuar video që tregojnë protestat e së enjtes në Lordegan, Teheran dhe Marvdasht.

Zyrtarët iranianë thanë më parë se një anëtar i ri i forcave të sigurisë së vendit ishte vrarë të mërkurën në qytetin perëndimor të Kouhdasht.

Por protestuesit thonë se burri ishte, në vend të kësaj, nga radhët e tyre dhe ishte qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë.

Të premten, u raportuan përleshje gjatë ceremonisë së varrimit të burrit, ku morën pjesë mijëra të pranishëm. Anëtarë të uniformuar të forcave të sigurisë u përpoqën të mbanin arkivolin e tij, por turma ua rrëmbeu dhe i përzuri.

Protestat filluan të dielën në Teheran midis dyqanxhinjve të zemëruar nga një tjetër rënie e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Deri të martën, studentët e universitetit ishin të përfshirë dhe protestat ishin përhapur në disa qytete, me njerëz që brohorisnin kundër sundimtarëve klerikë të vendit.

Shumë protestues që atëherë kanë bërë thirrje për fundin e sundimit të Khameneit. Disa kanë thënë se duan një kthim në monarki.

Protestat kanë qenë më të përhapurat që nga një kryengritje në vitin 2022 e shkaktuar nga vdekja gjatë paraburgimit e Mahsa Amini, një grua e re e akuzuar nga policia e moralit se nuk e mbante siç duhet vellon, por ato nuk kanë qenë në të njëjtën shkallë.

Presidenti Masoud Pezeshkian ka thënë se do t’i dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve.

Por Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Mohammad Movahedi-Azad, paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar paqëndrueshmëri do të përballet me një “përgjigje vendimtare”.

Continue Reading

Bota

Erdogan: Do të flasë me Trump të hënën për Gazën dhe Ukrainën

Published

on

By

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, tha se do të zhvillojë një telefonatë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të hënën për të diskutuar përpjekjet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe çështjet që lidhen me Gazën.

Duke folur me gazetarët në Stamboll të premten, Erdogan tha se biseda e tyre e planifikuar për të hënën pasdite do të përqendrohet në zhvillimet kryesore rajonale.

‘Do të kemi një tjetër telefonatë me Presidentin Trump të hënën’, tha ai, duke shtuar se do të diskutojnë zhvillimet midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe situatën në Palestinë.

Erdogan komentoi gjithashtu tubimin e madh pro-Palestinë të mbajtur në Urën e Galatës në Stamboll ditën e Vitit të Ri, duke e cilësuar atë si një mesazh të fuqishëm publik solidariteti.

‘Ndërsa po hynim në vitin e ri, të gjithë pamë një moment historik në Urën e Galatës. Kjo tregoi qartë se Palestina nuk është vetëm’, tha ai.

Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Gazës dhe popullit palestinez, si në nivel kombëtar ashtu edhe në koordinim me botën e gjerë islame.

‘Ne nuk e kemi braktisur Gazën apo Palestinën dhe as që do ta bëjmë ndonjëherë’, shtoi Erdogan.

Duke kritikuar sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, Erdogan tha se vuajtjet humanitare, veçanërisht të fëmijëve që jetojnë në kushte të vështira, nuk do të mbeten pa përgjigje.

‘Vuajtjet e fëmijëve që jetojnë në tenda të improvizuara mes erës, shiut dhe baltës nuk do të mbeten pa përgjigje dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do t’u shpëtojë përgjegjësive’, tha ai.

Erdogan vuri në dukje se përpjekjet për ndihmë humanitare përballen me kufizime të vazhdueshme, duke përfshirë pengesat në shpërndarjen e materialeve të strehimit të përkohshëm në Gaza.

Pavarësisht sfidave, ai tha se Turqia do të vazhdojë të ndjekë të gjitha kanalet e mundshme për të mbështetur palestinezët dhe për të lehtësuar vuajtjet e tyre.

Continue Reading
LIVE ALBUK TV
ALBUK TV LIVE
Albania4 minutes ago

Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht

Kina2 hours ago

BYD i Kinës tejkalon Teslën si shitësi më i madh i automjeteve elektrike në botë

Bota2 hours ago

Përleshjet në Jemen i sjellin në konfrontim forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Bota2 hours ago

Trump paralajmëron se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Irani vret protestuesit

Shendetesi2 hours ago

Çfarë i ndodh saktësisht trupit pas një viti pa alkool

Albania4 hours ago

Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë

Bota4 hours ago

Erdogan: Do të flasë me Trump të hënën për Gazën dhe Ukrainën

Albania4 hours ago

Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër

Bota5 hours ago

Gjendet e pajetë në hotel vajza e aktorit të famshëm hollivudian

UK14 hours ago

Kalimet vjetore të migrantëve përmes Kanalit, më të lartat që nga viti 2022

UK14 hours ago

Faqet e para të gazetave në UK

Bota15 hours ago

Përleshje vdekjeprurëse midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat në Iran shtohen

Albania15 hours ago

Gjykata refuzon sekuestrimin e 20 pasurive të Kristjan Boçit dhe Elman Abules

Albania15 hours ago

Stuhia Arktike mbërrin në Evropë: ç’mund të presë Ballkani?

Albania15 hours ago

Krijohet kompania shtetërore e transportit/ Balluku emëron administrator këshilltarin e saj

Albania2 days ago

“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë

UK4 days ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania4 days ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania6 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

UK2 days ago

Vizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim

UK6 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Sports4 days ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Bllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë

Albania4 days ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania3 days ago

Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …

UK3 days ago

Bashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së

Bota4 days ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK3 days ago

Britania marrëveshje me Angolën dhe Namibinë për kthimin e emigrantëve

Albania3 days ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Bota4 days ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Trending