Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, thotë në një intervistë për KosovaPress, se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është historike. Sipas tij, kjo marrëveshje për Kosovën sjell njohje të integritetit territorial, prandaj duhet zbatuar.
Guerot thekson për KosovaPress, se mbështetja e Francës për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar, por kërkon që draft-statuti për asociacionin të dërgohet në kushtetuese.
“Draft statutin e propozuar nga BE-ja, e konsiderojmë plotësisht të pajtueshëm me Kushtetutën. Testi më i mirë është dërgimi në gjykatë, që është i vetmi organ që mund të tregojë se deri në çfarë mase është në përputhje me Kushtetutën.
Unë mendoj se do të ishte një tregues i shkëlqyer realiteti që do t’i përgjigjej të gjitha frikërave që mund të jenë. Ne kemi qenë vendimtarë, kemi qenë kritikë për të ndihmuar Kosovën në ’99, në njohjen e Kosovës në vitin 2008, dhe mbështetja jonë për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar fare, ajo është ende aty aq e fortë sa kurrë më parë. Pra, nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë veprim nga ana jonë që do të kishte ndikim të dëmshëm në Kosovë.
Ne rekomanduam fuqishëm që qeveria e Kosovës ta dërgonte në gjykatë draft-statutin e Asociacionit, duke bërë këtë hap të parë drejt zbatimit të asociacionit. Mendojmë se do të kishte ndihmuar shumë ose do të ndihmonte shumë në votim për në Këshillin e Evropës.
Pra, meqë qeveria tregon se nuk e bën këtë të paktën në këtë fazë, diskutimi brenda qeverisë është pezulluar dhe mendoj se kur ta bëjë qeveria këtë, shanset që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës do të jenë shumë më të larta”, tha Olivier Guerot.