Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti konsideron që qeveria e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur për KosovaPress, Ahmeti nënvizoi se ka zhvillime shqetësuese që prekin shqiptarët në Maqedoni të Veriut.
“Në Maqedoni të Veriut zhvillimet politike nuk premtojnë ndonjë perspektivë të qëndrueshme, sepse kanë ardhur disa iniciativa për ndryshimin e Ligjit të gjuhës shqipe, që kjo iniciativë, ma kujton 1989 kur Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës, që nuk është mirë as për komunitetin maqedonas dhe shqiptarët.
Sepse preket substanca, palca e marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është hequr përkatësia etnike, gjithashtu që është pjesë, substanca e marrëveshjes paqësore të Ohrit, sepse pa përkatësinë etnike dhe deklarimin e etnisë, mund të gjinden dhjetëra arsye pse shqiptarët janë jo të përgatitur profesionalisht edhe të lihen të margjinalizohen, faktikisht po instalohet dominimi i shumicës mbi komunitetin e dytë shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe këto zhvillime janë shqetësuese për ne”, tha Ahmeti.