Kosova ka marr 12 pikë dhe ka një ndeshje që do të vendoset nga komisionet e UEFA-s, ndërsa rruga për në Ligën B te Kombeve mbetet e hapur, ku Dardanët do të kenë rastin në play-off.
Dardanët kanë humbur ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” ndaj Rumanisë me rezultat 3-0, ndërsa që atëherë nuk di për humbje.
Dy fitore ndaj Qipros, dy fitore ndaj Lituanisë, pastaj barazimi 0-0 deri në minutën e 90-të ndaj Rumanisë, janë rezultatet e Franco Fodas në këtë edicion, shkruan Telegrafi.
Shorti për play-off-in e promovimit dhe rënies do të hidhet më 22 nëntor 2024 nga ora 12:00, në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës
Dardanët kishin siguruar pozitën e dytë dhe dy ndeshje në muajin mars për plasman më të lartë.
Këta janë katër kundërshtarët e mundshëm të play-offit
Grupi 1 i Ligës B të Kombeve, na nxjerrë si kundërshtar të mundshëm Gjeorgjinë, që ishte hijeshi e Euro 2024.
Ata përfunduan të tretët, duke e lënë pas Shqipërinë, që bie në Ligën C.
Gjeorgjia është e 67-ta në renditjen e FIFA, ndërsa vlera e ekipit në grumbullimin e fundit ishte 178 milionë euro.
Willy Sagnol është përzgjedhës, ndërsa ylli kryesor është Khvicha Kvaratskhelia, që vlen 80 milionë euro.
Irlanda është kundërshtari që vjen nga Grupi 2 i Ligës së Kombeve, pasi ka zënë vendin e tretë, duke mbetur prapa, Anglisë dhe Greqisë me 6 pikë.
Irlanda zë vendin e 63-të në rendijen e FIFA-s, ndërsa vlera e ekipit është 192 milionë euro.
Heimir Hallgrímsson është përzgjedhës, ndërsa ylli kryesor i ekipit është Even Ferguson me vlerë 45 milionë euro.
Nga Grupin 3, Sllovenia është kundërshtari i mundshëm, pasi mban vendin e tretë me 8 pikë, pas Norvegjisë dhe Austrisë.
Sllovenia zë vendin e 52-të në renditjen e FIFA-s, ndërsa vlera e ekipit në tubimin e fundit ishte 138 milionë euro.
Matjaz Kek është përzgjedhës, ndërsa Benjamin Sesko është ylli kryesor i ekipit me vlerë 50 milionë euro.
Nga Grupi i 4-të i Ligës B të Kombeve, Kosova mund të luajë ndaj Islandës, të cilët zënë vendin e tretë pas Uellsit dhe Turqisë.
Islanda në letër është kundërshtari më i lehtë, ndërsa zë vendin e 70-të në renditjen e FIFA.
Vlera e skuadrës është 54 milionë euro, ndërsa Age Hereide është përzgjedhës. Orri Oskarsson është lojtari kryesor me vlerën prej 20 milionë euro në treg.