Kryekomisari Asllan Shytaj i ftuar në “Top Story” ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën ku një 14 vjeçar vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli”.
Shytaj ka bërë me dije se autori ndodhet në spital për shkak se është i plagosur ndërsa pas marrjes së tij në pyetje kryekomisari zbuloi se 14 vjeçari nuk ka shfaqur shenja pendese, por acarimi. Ndërsa shtoi se dy familjet janë në konflikt të hapur.
“Nuk kemi qenë prezent, por vazhdon të jetë i acaruar, jo i penduar. Konflikti do jetë i hapur mes dy familjeve. Janë dy familje me origjinë nga veriu. Atje ekzistojnë akoma këto të gjakmarrjes”, tha Shytaj.
Përsa i takon përgjegjësisë së oficeres së sigurisë, Shytaj u shpreh se po kryhen hetime për të përcaktuar nëse oficerja nuk e ka zbatuar detyrën e saj, por e konsideroi gabim fatal faktin që ajo nuk njoftoi prindërit dhe policinë.
“Do ta nxjerrë hetimi nëse ka përgjegjësi oficerja e shkollës apo jo. Mësuesja ka njoftuar oficeren e sigurisë kur ka ndodhur sherri ditën e premte. Ajo i ka pyetur të dy nxënësit, pastaj i ka dërguar te drejtoresha, për procedurë, ka qenë prezent edhe psikologu.
Fëmijët aty janë pajtuar. Oficerja nuk e ka referuar rastin në polici. Nxënësit kanë qenë të dy nxënës të mirë, nuk kanë paraqitur probleme më parë. Nuk dihet si ka shkuar deri aty. Oficerja e sigurisë duhet të kishte njoftuar prindërit dhe policinë, nuk e ka bërë. Gabim fatal”- shtoi kryekomisari.